Abdixhiku: Shtëpia nuk goditet e nuk braktiset në ditët më të vështira





Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar votuesit e partisë së tij për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se çdo votë është përgjegjësi, respekt dhe oblgim për të ardhmen.

“Nuk është e tepërt të përsëritet se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritëm; larg madje. Por është verdikt i qytetarëve të vendit tonë dhe para tij përulemi me respekt të plotë”, u shpreh Abdixhiku.

Tutje ai tha se LDK e asnjë individ nuk i shmenget asnjë përghjegjësie dhe asnjë reflektimi, duke shtuar se partia e tij është institucionale.

Abdixhiku theksoi se do të mblidhet Kryesia e LDK-së, ku sipas tij, do të vendoset fati i partisë.
Gjithashtu Abdixhiku tha se ata që sot po e godasin LDK-në nga jashtë asnjëherë nuk kanë pasur qëllime të mira.

“Një fjalë të drejtpërdrejtë kam dhe për ata që sot po e godasin LDK-në nga jashtë: qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor. LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë. Ne do ta bëjmë fatin tonë, me qetësi, me ndershmëri dhe me përgjegjësi; siç i ka hije kësaj shtëpie politike e cila nuk braktiset e as nuk goditet në ditët e saja më të vështira”, u shpreh ai tutje.