A do të ketë pasoja Real Madridi nga humbja në Superkupën e Spanjës?

Humbja ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës (3-2) nuk ka ndryshuar aspak strategjinë e drejtuesve të Real Madridit.

Pavarësisht zhgënjimit për rezultatin, klubi madrilen vijon të besojë si te trajneri Xabi Alonso, ashtu edhe te përbërja aktuale e skuadrës.

Të dielën në mbrëmje, “Los Blancos” zhvilluan një ndeshje dinjitoze dhe shfrytëzuan maksimalisht shanset e tyre deri në fund, por nuk arritën të shmangnin humbjen përballë një Barcelone që demonstroi efikasitet përpara portës dhe thellësi më të madhe në stol.

Pikërisht për këtë arsye, sepse ekipi ishte në nivelin minimal të kërkuar, drejtuesit e klubit mbeten të palëkundur në vendimin për të mos ndërhyrë në merkaton e dimrit.

Sipas së përditshmes AS, në ditët në vijim priten oferta të shumta nga agjentë dhe klube të ndryshme, por gjithçka do të shtyhet për në verë.

“Të gjithë e dinë se skuadra ka nevojë për përforcime, por janari nuk ka qenë kurrë periudha e preferuar e Real Madridit të Florentino Perez”, thekson burimi.

Pa transferime dhe pa ndryshim trajneri

Në zyrat e larta të “Santiago Bernabeu” vlerësohet se, pavarësisht mungesave të shumta për shkak dëmtimesh, nuk ka nevojë për afrime të reja gjatë muajit janar.

Madje, përveç Gonzalos që tashmë është integruar, nuk pritet që ndonjë lojtar tjetër nga akademia të bëjë hapin drejt ekipit të parë në muajt e ardhshëm.

Ndryshe nga sa ndodh shpesh pas humbjeve në finale, Superkupa nuk ka qenë “varri” i trajnerit.Përkundrazi, Xabi Alonso ka dalë disi i përforcuar, pasi arriti të paraqesë një skuadër të angazhuar dhe energjike.

Megjithatë, për periudhën e afërt, atij dhe stafit të tij do t’u kërkohet të gjejnë zgjidhje për përmirësimin e gjendjes fizike të ekipit, i cili në javët e fundit ka shfaqur shenja shqetësuese lodhjeje.

“Në Valdebebas besojnë se ka ende kohë për të zhvilluar një sezon të mirë, por kjo kalon domosdoshmërisht nga përmirësimi i përgatitjes fizike të skuadrës”, përfundon AS.