“21 janari”/ “Vrasjet në zemër të Tiranës”, Minxhozi: 15 vite nuk është bërë drejtësi, një turp kombëtar
Sot është mbajtur ceremonia përkujtimore për katër protestuesit e vrarë më 21 janar 2011.
Analisti Skënder Minxhozi në një intervistë në “NewsLine” në ABC News e ka cilësuar një turp kombëtar që ende edhe sot kur janë bërë 15 vite nga ngjarja nuk është dhënë drejtësi.
Ai gjithashtu theksoi se katër persona e vrarë nuk ishin rrezik, pasi edhe protesta ishte në përfundim, ndërsa e cilëson një krim shtetëror.
“Mund të cilësohet vetëm si një turp kombëtar. Është e turpshme që të mos zbardhet një ngjarje në zemër të Shqipërisë , ku janë plagosur gazetarë, ku është parë dhe filmuar gjithçka. Pushteti ka tentuar të fshijë provat e krimit, rezultojnë të fshira të gjitha kamerat e godinës. Katër të vrarët nuk ishin rrezik për askënd dhe është krim shtetëror. Dhe nuk justifikon kurrsesi që 15 vite nuk është bërë drejtësi. Dhe një vrasje kaq e dokumentuar ende e pazbardhur, unë nuk di si ta cilësoj këtë veçse një turp”, tha ai.
Gjithashtu Minxhozi shtoi se “21 janari” kryengjarja e tranzicionit shqiptar vijon të mbetet e pazbardhur, duke bërë përgjegjës edhe drejtësinë e re.
“Kur e cilësoj një turp kombëtar, përmban brenda më shumë se një fajtor. Fajtori më i parë ai që vrau.; Dhe ata të dytët të tretë apo atë katërt. Është e turpshme që kjo mazhorancë që megjithëse na premtonte që po ndërton drejtësi të re, ajo erdhi mori formë dhe shumë vullnet dhe mbështetje nga pas. Kanë marrë dhe shumë para, po kërkojnë dhe rritje rrogash, ndërkohë jo vetëm pirgu i dosjeve ka shkuar në dhjetëra, kryenngjarja e tranzicionit shqiptar vijon të mbetet e pazbardhur. Fajtorja e dytë është drejtësia e re”, ka thënë ai.