“166 transaksione të dyshimta”, Kryeprokurori Kryeziu jep detaje për aksionin kundër keqpërdorimeve në BKS

Kryeprokurori i Prizrenit Petrit Kryeziu, ka dhënë detaje rreth aksionit të zhvilluar sot ku janë bastisur pronat e 47 personave.

Kryeziu njoftoi se aksionit të sotëm i kanë paraprirë veprime hetimore të shumta që nga marsi 2025.

Siç njofton gazetarja e Klan Kosova, Diellza Berisha, ai bëri me dije se cak i hetimeve ishin ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ai i Financave.

Kryeprokurori i Prizrenit theksoi se në këtë aksion u arrestuan 39 persona.

“39 persona janë arrestuar ndërsa 7 prej tyre janë jashtë Kosovës. Shumica prej tyre janë duke u intervistuar. Kallëzimi penal është sjell nga BSK pastaj kemi ndërmarrë veprime hetimore”, deklaroi Kryeziu në konferencën për media.

“Kemi bastisur shtëpitë e 47 personave. Fjala është për keqpërdorimet në BKS, ish-drejtori i BKS. Kanë bartur transaksione të ndryshme dhe i kanë sjellë vetes përfitime e i kanë shkaktuar dëm 1 milion 43 mijë euro”.

“Janë realizuar 166 transaksione të dyshimta, kanë realizuar ujdi fiktive, kanë aplikuar 141 transaksione pa asnjë dokument të vetëm. 1600 euro ka qenë shuma më e vogël, 68 mijë euro shuma më e madhe”, tha ai.

Sipas tij, nuk ka pasur regjion që nuk ka pasur bastisje.

“Kemi sekuestruar ari, orë e armë”, u shpreh Kryeziu.

Kryeprokurori i Prizrenit Petrit Kryeziu bëri me dije se në aksion kanë qenë të përfshirë 400 zyrtarë policorë. /Klankosova.tv