100 mijë dollarë për çdo dërgesë kokaine/ Si u përfshi Zonja e Parë e Venezuelës në trafikun e drogës dhe politikë

Ajo është një nga figurat më të fuqishme dhe më të errëta të regjimit venezuelian. Cilia Flores, bashkëshortja e Nicolas Maduro-s dhe e njohur nga presidenti si “luftëtarja e parë” e Venezuelës, akuzohet nga prokurorët amerikanë si pjesë kyçe e një rrjeti shtetëror që garantonte mbrojtje për trafikun ndërkombëtar të drogës, kundrejt pagesave marramendëse.

E lindur në vitin 1956 në Tinaquillo, në Venezuelën qendrore, Flores u rrit në lagje punëtore të Karakasit perëndimor. Juriste me specializim në të drejtën e punës dhe penale, ajo u përfshi herët në lëvizjen e Hugo Chavez, duke i ofruar mbështetje ligjore pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 1992. Pikërisht atëherë u njoh me Nicolas Maduro-n, me të cilin ndërtoi një aleancë politike dhe personale që zgjati mbi tre dekada.

Karriera e saj politike u ngjit shpejt: deputete në vitin 2000 dhe 2005, ndërsa në vitin 2006 u bë gruaja e parë që drejtoi parlamentin venezuelian. Mandati i saj u shoqërua me polemika, nga kufizimi i mediave deri te akuzat për nepotizëm. Më pas shërbeu si drejtuesе e lartë e Partisë Socialiste të Bashkuar të Venezuelës dhe, në vitin 2012, u emërua Prokurore e Përgjithshme nga vetë Hugo Chavez, duke qenë pjesë e rrethit të tij më të ngushtë deri në fund të jetës.

Por sipas aktakuzave amerikane, pas fasadës politike fshihej një rol shumë më i errët. Prokurorët në SHBA pretendojnë se në vitin 2007 Cilia Flores ka marrë qindra mijëra dollarë ryshfet për të ndërmjetësuar një takim mes një trafikanti të madh droge dhe Nestor Reverol Torres, atëherë kreu i Zyrës Kombëtare Kundër Drogës në Venezuelë.

Skema, sipas hetimeve, ishte e qartë:

100 mijë dollarë për çdo fluturim me kokainë, që do të kalonte lirshëm hapësirën ajrore të Venezuelës.

Një pjesë e këtyre parave dyshohet se përfundonte direkt tek Flores, në këmbim të mbrojtjes institucionale për kartelet.

Reverol Torres u akuzua në vitin 2015 në Nju Jork për krime të rënda të lidhura me narkotikët dhe sot është në arrati. Hetimet amerikane e përshkruajnë Cilia Flores si hallkë lidhëse mes pushtetit politik dhe trafikut të drogës, duke garantuar mburojë shtetërore për avionët e ngarkuar me kokainë.

Emri i saj u bë publik në shkallë ndërkombëtare po në vitin 2015, kur dy nipërit e saj u arrestuan në SHBA dhe u dënuan për komplot për trafik droge. Ata u liruan vetëm në vitin 2022, pas një shkëmbimi të burgosurish mes Uashingtonit dhe Karakasit, çka rriti edhe më shumë dyshimet për peshën reale të Flores brenda regjimit.

Tashmë, teksa pritet të përballet zyrtarisht me drejtësinë amerikane në New York, një gjë është e qartë edhe për mbështetësit, edhe për kritikët:

Cilia Flores është e pandashme nga pushteti i Nicolas Maduro-s dhe, sipas SHBA-së, një nga figurat kyçe të një sistemi që ka bashkëpunuar ngushtë me kartelet e drogës – pikërisht ato që Presidenti Donald Trump i ka shpallur luftë të hapur.