Zyrtarët nuk do të mbajnë përgjegjësi për korrupsion me ndryshimet e reja në Kodin Penal, tha prokurorja Ristoska

Do të ketë amnisti të mëtejshme, ndoshta edhe më të gjerë për krimet e lidhura me korrupsionin me ndryshimet e reja në Kodin Penal (KP), ishte konkluzioni i debatit të djeshëm mbi këto ndryshime të propozuara nga një grup deputetësh nga shumica qeverisëse e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, i cili u organizua nga Qendra Ballkanike për Politika Konstruktive “Solucija”, transmeton Portalb.mk.

Lidhur me pyetjet se çfarë mund të presim nga ndryshimet e reja ligjore në Kodin Penal, nëse ato do të sjellin drejtësi dhe ndëshkim më të madh për zyrtarët që abuzuan me detyrën e tyre apo do të jenë edhe më të buta se rregulloret e mëparshme, nëse ka pasur shumë pritje dhe taktikë për të korrigjuar gabimin katastrofik të vitit 2023 kur u miratuan ndryshimet skandaloze në KP gjatë qeverisjes së Dimitar Kovaçevskit, foli i pari ambasadori i BE-së në Maqedoni, Michalis Rokas.

“Kishim edhe deklarata nga udhëheqës politikë se ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023 ishin gabim, por për një kohë të gjatë nuk ka pasur asnjë veprim as nga Qeveria dhe as nga Parlamenti për të korrigjuar ose për të bërë ndryshime të reja. Nevojitet konsensus politik dhe shoqëror që ndryshimet e reja të jenë vërtet në përputhje me standardet evropiane dhe në përputhje me sigurimin e llogaridhënies dhe sundimin e ligjit”, theksoi Rokas.

VMRO-DPMNE nuk e ka rikthyer kriminalizimin e korrupsionit për 2 vjet, dhe megjithëse udhëheqësi dhe deputeti Venko Filipçe kërkoi falje për ligjin e bërë nga paraardhësi i tij Kovaçevski, as deputetët e LSDM-së nuk kanë paraqitur ndryshime në Kod në mënyrë që kriminalizimi të mund të rikthehet.

Rokas tha se nuk do të gjejmë asnjë qytetar që beson se duhet të ketë pandëshkueshmëri.

“Do të gjeni individë, por qytetarët kërkojnë drejtësi dhe rend. Ne do të ndjekim procesin dhe vetë ndryshimet”, tha ai.

Qeveria tha se ndryshimet e shumëpritura në Kodin Penal ishin një zgjidhje kalimtare, që rezultoi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të shkurtit të këtij viti, i cili urdhëroi Parlamentin të ndryshonte Kodin deri në fund të vitit.

Prokurorja Lence Ristoska, e cila ishte e pranishme në debat në sallë, kritikoi ashpër ndryshimet e propozuara nga një grup deputetësh nga shumica qeverisëse.

“Parashikohet të sanksionohen vetëm veprime specifike në procedurat e prokurimit publik, gjë që legalizon të gjitha shkeljet e tjera dhe hap hapësirë ​​për pandëshkueshmëri sistemike pikërisht aty ku abuzimet janë më të zakonshme. Ajo që është edhe më alarmante është se ndryshimet në nenin 353-c fshijnë përgjegjësinë e zyrtarëve nga organet e administratës shtetërore, që në praktikë do të thotë legalizim i shkeljeve që këta persona kanë kryer. Pra, në këtë kontekst, do ta pyesja kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, si do të vepronte nëse Parlamenti do t’i miratonte ndryshimet siç janë propozuar? A ka Gjykata ndonjë plan, sepse më duket se qëllimi i propozuesit të ndryshimeve nuk është i sinqertë, por vetëm për të përmbushur zyrtarisht kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të paraqitur ndryshime brenda afatit të dhënë?”, pyeti Ristoska, duke theksuar se kështu amnistohet nga veprimet korruptive ministrat, drejtorët, zyrtarët e policisë dhe punonjësit e tjerë në organet e administratës shtetërore.

Kostadinovski iu përgjigj kësaj duke thënë se plani i gjyqtarëve kushtetues është të veprojnë sipas vendimit të tyre.

“Në vendimin tonë, ne trajtuam edhe antikushtetutshmërinë materiale. Nuk do të komentoj mbi propozimet aktuale, nuk më lejohet të komentoj mbi normat që nuk janë pjesë e një çështjeje të gjallë ligjore. Por, sigurisht, kjo periudhë nuk ka mbaruar. Do të presim ndryshimet ligjore dhe në një seancë të Gjykatës, do të shqyrtohen si aspektet materiale ashtu edhe ato normative”, tha ai.

Platforma Kundër Korrupsionit ka reaguar ashpër këto ditë edhe ndaj ndryshimeve të çuditshme në Kodin Penal.

Ndryshe, një grup deputetësh të VMRO-DPMNE-së kanë propozuar ndryshime në Kodin Penal që nuk i rikthejnë plotësisht dispozitat e fshira mbi korrupsionin (keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar, si dhe bashkimin kriminal), vendosin dënime më të buta, por prapëseprapë vendosin rregull në dënimet për këto vepra penale. Paraprakisht, në nenin 353, paragrafi 5, kishte të paktën 5 vjet burg dhe kjo vepër penale nuk vjetërsohej ose vështirë vjetësohej. Tani, propozohet nga 4 deri në 10 vjet, gjë që jo vetëm që i jep afat më të shpejtë vjetësimit, por edhe zyrtarët e padënuar mund të shpëtojnë me dënime me kusht.

Kujtojmë se Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut u vendos përsëri në qendër të vëmendjes nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për vitin 2025, duke kërkuar hartimin urgjent të një versioni të ri, plotësisht të harmonizuar me acquisin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare.

Pasojat e ndryshimeve në Kodin Penal (KP), të cilat parashikojnë dënime më të ulëta, por edhe vjetërsim më të shpejtë për veprat e keqpërdorimit të detyrës, punë nga pakujdesia dhe bashkimit kriminal, për herë të parë u panë 20 ditë pas miratimit të tyre. Në vend të vitit 2051, lënda për ish-anëtarin e Këshillit Gjyqësor, gjyqtarit nga Tetova Zoran Teofilovski skadoi po atë ditë, i cili gjykohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Me ndryshimet në Kodin Penal, asnjë zyrtar nuk do të përballet me dënim më të lartë se 5 vjet burg, nëse keqpërdorë detyrën. Gjithashtu, të gjitha aktet e shpërdorimit të shërbimit të kryera para vitit 2013 iu nënshtruan vjetërsimit (më parë vjetërsimi absolut ishte 40 vjet, ndërsa tani 10).

Kjo ndikoi më shumë në rastet e ish- Prokurorisë Speciale Publike, “TNT”, “Talir”, “Talir 2”, “Thesari”, “Tarifa”, “Dizajni”, “Toplik”, “Titanik”, “Titanik 2”, “Shkallët spanjolle”, “Target-Fortesa” dhe të tjera.