Kosova u ndëshkua këtë vit nga aleati më i madh dhe më i fuqishëm. Dialogu strategjik me ShBA-në u pezullua, për shkak të veprimeve të qeverisë së Albin Kurtit.
Kjo shuplakë e madhe e Amerikës u tentua të minimizohet nga lideri i Vetëvendosjes, i cili jo rrallëherë ka qenë objekt i kritikave nga bashkësia ndërkombëtare.
ShBA-ja pezulloi dialogun strategjik me Kosovën më 12 shtator të këtij viti, dhe kjo erdhi, sipas Ambasadës Amerikane në Prishtinë, për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, duke cituar rritje të tensioneve dhe paqëndrueshmërisë.
Pak orë para marrjes së vendimit, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, tha se Uashingtoni është i zhgënjyer me qëndrimet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, të cilat, sipas saj, po rrisin “paqëndrueshmërinë në Kosovë”.
“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, tha diplomatja amerikane në një përgjigje për Kohën.
Ajo paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara janë duke e shqyrtuar përgjigjen e tyre, “por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”, tha Prattipati.
Në njoftimin e Ambasadës në Facebook për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik, u tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
Kjo vënie në test e raporteve Kosovë-ShBA ishte vetëm një nga dhjetëra rastet kur Kurti, gjatë mandatit të tij të dytë si kryeministër, kishte nxitur reagime e kritika të ashpra nga aleati më i madh i vendit.
Kronologji e kritikave të Kurtit ndaj ShBA-së
Më 26 maj, 2023, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken kishte kritikuar veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillës së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.
“Këto veprime kanë përshkallëzuar ndjeshëm dhe pa nevojë tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”.
“Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Albin Kurti të ndryshojë kursin dhe të gjitha palëve të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të nxisë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”, ishte thënë në letrën e Blinkenit, të publikuar në ueb-faqen e Departamentit të Shtetit.
Si masë ndëshkuese ndaj veprimeve të pakoordinuara të Kurtit me aleatët ndërkombëtarë, ShBA-ja më 29 maj njoftoi për përjashtimin e Kosovës nga ushtrimi i madh ushtarak i NATO-s “Defender Europe ’23”. Veç kësaj, për shkak të krizës në veri dhe mospunës së qeverisë së Kosovës për de-përshkallëzimin e situatës, rezultoi edhe në ndalimin e përpjekjeve amerikane për njohje dhe integrim ndërkombëtar.
Më 30 maj 2023, Kurti, në një intervistë për “The Guardian”, reagoi ndaj deklaratave të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke i quajtur ato “jo vetëm të padrejta dhe të gabuara, por edhe lënduese dhe, në të njëjtën kohë, shumë naive”.
1 qershor 2023 – Në intervistë për “The Washington Post”, Kurti tha se deklaratat “e dëmshme” nga Washingtoni dhe aleatët për përshkallëzimin e tensioneve në veri ishin problematike.
28 maj 2024 – Në një intervistë për “Financial Times”, Kurti tha se BE-ja dhe ShBA-ja po tregoheshin “shumë të buta” ndaj Serbisë.
28 maj 2024 – Kurti deklaroi se ShBA-ja dhe BE-ja duhej t’i jepnin Serbisë një ultimatum për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke i akuzuar ata për kursim dhe për shpresë të vazhdueshme te “kalimi i Serbisë në kampin perëndimor”.
28 shtator 2025 – Kurti, në vizitë në ShBA, komentoi pezullimin nga ana e ShBA-së të dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën. Ai tha se i gjithë problemi ishte “sundimi i ligjit në veri”, si rrjedhojë e mbylljes së “strukturave ilegale serbe”, dhe deklaroi se për këtë nuk mund të bënte kompromis.
Ai tha po ashtu se marrëdhëniet Kosovë-ShBA në fushën e diplomacisë përballen me “pengesa” për shkak të dallimeve në qasjet ndaj veriut dhe asaj që ai sheh si mbështetje të Beogradit nga disa diplomatë amerikanë.
Shtator 2025 – Kurti pohoi se aktet e Kosovës, që ShBA i konsideron problematike, nuk janë për ta ndihmuar ShBA-në që “ta shkëpusë Serbinë nga lidhjet me Rusinë”.
Kritikat e ShBA-së ndaj politikës së Kurtit
Gabriel Escobar, ish-emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, shtatorin e vitit 2023 pati thënë se nuk kishte marrë asnjë “pajtim konkret” nga Kurti për implementimin e Marrëveshjes Bazike (marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi).
Emisari për Misione të Posaçme i ShBA-së, Richard Grenell, në shkurt të këtij viti, para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, i kishte quajtur mashtrim deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se krahasuar me qeveritë paraprake, kjo aktualja e drejtuar prej tij, ka pasur marrëdhëniet më të mira me Washingtonin.
E vetëm tri ditë pas kësaj deklarate, Kurti ishte paraqitur në një intervistë në një televizion lokal të vendit, duke i cilësuar marrëdhëniet me ShBA-në si më të mirat ndonjëherë.
Me ShBA-në, “punët kurrë ma mirë nuk i kena pas”, ishte shprehur Kurti.
Kundërshtarët e Kurtit kanë vlerësuar në vazhdimësi se Kosova kurrë s’i ka pasur raportet më të përkeqësuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sikurse gjatë kësaj qeverisje.
