Zelensky: Kina po forcon marrëdhëniet me Rusinë, fokusi dhe bashkëpunimi ushtarak





Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ka marrë një raport nga kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës ,FIS, i cili tregon se Kina po forcon marrëdhëniet e saj me Rusinë.

Ai tha se raporti i Oleh Ivashchenko-s përmban “shumë detaje lidhur me situatën e politikës së jashtme rreth Ukrainës dhe situatën ekonomike në Rusi”.

“Sipasm nesh, po vërehet një trend në rritje i ‘de-sovranizimit’ të pjesëve të territorit rus në favor të Kinës, kryesisht përmes përdorimit të tokave të pasura me burime dhe shitjes së resurseve të pakta drejt Kinës”, tha presidenti ukrainas.

“Vërejmë gjithashtu se Kina po ndërmerr hapa për të intensifikuar bashkëpunimin me Rusinë, përfshirë edhe në sektorin ushtarako-industrial”, shtoi ai.

Zelensky tha se edhe “shërbime partnere të inteligjencës” disponojnë informacione të ngjashme, dhe se ai i ka kërkuar FIS të monitorojë marrëdhëniet mes Moskës dhe Pekinit “më thellësisht”.

Ai shtoi se raporti i Ivashchenko-s tregon gjithashtu se Rusia ka nisur fushata politike për destabilizimin e Ukrainës.

Këto deklarata vijnë pasi Kina konfirmoi se javën e kaluar zhvilloi rundin e tretë të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Rusinë.

Ministria kineze e mbrojtjes tha se këto stërvitje kundër-raketore nuk ishin përgjigje ndaj situatës aktuale ndërkombëtare dhe nuk synonin asnjë palë të tretë.