VLEN–VMRO–Lista Merko: Koalicion pazari në Strugë, pas 20 vitesh shqiptarët humbin drejtimin e Këshillit
Zhvillimet e fundit politike në Komunën e Strugës po shkaktojnë reagime të shumta, pasi ato konsiderohen si një kthesë e rëndësishme në përfaqësimin institucional dhe funksionimin e pushtetit lokal. Kryetarja e Komisionit për Kandidim, Teuta Ziba Xheladini nga koalicioni VLEN në Strugë, ka propozuar Mite Stefkoskin për kryetar të Këshillit Komunal të Strugës.
Me këtë propozim, pas më shumë se 20 vitesh, posti i kryetarit të Këshillit Komunal pritet t’i kalojë një përfaqësuesi maqedonas, çka sipas kritikëve shpërfill realitetin demografik, peshën politike dhe përfaqësimin e shqiptarëve në këtë komunë. Në të njëjtën kohë, në Strugë është bërë publik edhe një koalicion i ri lokal mes VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe të ashtuquajturës “Lista Merko”.
Ky bashkëpunim politik po vlerësohet si i kontestueshëm, për shkak se përfshin struktura dhe individë të kritikuar publikisht, disa prej të cilëve të lidhur edhe me Lista të Zeza, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin politik dhe moral të këtij konfigurimi të ri. Sipas reagimeve, ky koalicion nuk reflekton interesin e qytetarëve të Strugës, por shihet si rezultat i pazareve politike dhe llogarive afatshkurtra, në dëm të barazisë ndëretnike, transparencës institucionale dhe stabilitetit demokratik në nivel lokal.
Zhvillimet në Strugë pritet të vazhdojnë të jenë në fokus të opinionit publik, ndërsa kritikët paralajmërojnë se këto vendime mund të kenë pasoja afatgjata për përfaqësimin dhe balancat ndëretnike në pushtetin lokal.
