VLEN: Përfaqësimi i drejtë po shndërrohet në mekanizëm ligjor! Ademi: Pr/ligji kthen shqiptarët në pozitën para vitit 2001
Debat i nxehtë për Propozim ligjin për Përfaqësim të Drejtë mes partive shqiptare të pushtetit dhe opozitës. Nga VLEN theksojnë se për herë të parë përfaqësimi i drejtë nuk do të varet më nga vullneti politik i qeverive apo nga marrëveshjet partiake, por do të rregullohet përmes një ligji të qartë, të detyrueshëm dhe të mbikëqyrshëm.
“Për të njëjtin ligj, mendim pozitiv ka dhënë edhe Komisioni i Venecias, autoriteti më i lartë evropian për çështje kushtetuese dhe juridike. Kjo e rrëzon përfundimisht propagandën e BDI-së, e cila për vite fliste për përfaqësim, por kurrë nuk pati guximin, vullnetin dhe ndershmërinë politike ta rregullojë atë me ligj. VLEN e ka bërë atë që të tjerët vetëm e premtuan. Sot, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po shndërrohet në mekanizëm ligjor që garanton barazi reale, transparencë dhe drejtësi për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie dhe pa ndërmjetës partiak”, thonë nga VLEN.
Nga BDI thonë se ligji nuk duhet të kalojë, derisa e quajnë “mashtrimit politik”. Nënkryetari i integristëve Arbër Ademi numëroi sipas tij tre çështje thelbësore që nuk i ka propozim ligji dhe thotë se i kthen shqiptarët në pozitën para vitit 2001 kur punësimi ishte 0.2%, pa përfaqësim të drejt dhe adekuat.
“Pra kuota etnike nuk do të ketë, pra do të jemi në të njëjtën gjendje si para vitit 2001, do të vazhdojmë me atë gjendje, nuk ka obligim për institucione, për organet e shtetit, institucione në përgjithësi – që qytetarët t’i identifikojë në bazë të etnisë me rastin e punësimit dhe avancimit që do të thotë se vazhdon të mbetet ai obligim që Gjykata Kushtetuese në mënyrë jokushtetuese ia ndaloi institucioneve që t’i njeh në bazë të etnisë dhe e fundit nuk ka dispozita sanksionuese”, u shpreh Arbër Ademi – nënkryetar i BDI-së.
Ligji pritet së shpejti të hyjë në procedurë parlamentare dhe VLEN u bën thirrje të gjithë deputetëve, pa përjashtim, që t’i kthehen arsyes, përgjegjësisë dhe interesit publik.