Veshtulla: Nga tradita romantike te fuqitë mjekësore dhe roli i saj kyç në natyrë

Puthja nën veshtull gjatë festave të dimrit vjen nga tradita pagane të pjellorisë dhe bashkimit. Por realiteti biologjik i kësaj bime është edhe më interesant se vetë zakoni romantik.

Shumica e llojeve të veshtullës nuk mund të mbijetojnë pa bimën pritëse ku rriten. Veshtulla është një bimë parazitare: ajo lidhet me degët ose trungun e një bime tjetër dhe thith ujë e lëndë ushqyese drejtpërdrejt nga sistemi i saj. Edhe pse ndonjëherë mund ta dëmtojë rëndë bimën pritëse, studimet e fundit tregojnë se në shumicën e rasteve veshtulla ka rol pozitiv në ekosistem. Aq i madh është ndikimi i saj, sa shkencëtarët e quajnë “specie kyçe”. Për më tepër, ajo përdoret edhe për qëllime mjekësore, si në mjekësinë tradicionale ashtu edhe në atë moderne.

Veshtullat gjenden në shumë pjesë të botës dhe i përkasin rendit të bimëve me lule santalales. Vetëm ato që parazitojnë degët ose trungun e bimëve të tjera quhen veshtulla të vërteta. Familja loranthaceae ka rreth 1000 specie, që rriten mbi pemë, shkurre dhe madje edhe mbi kaktuse.

Për t’u shumuar, veshtullat prodhojnë kokrra ushqyese. Brenda tyre ndodhen fara të mbështjella me një substancë ngjitëse, e cila i mbijeton tretjes së zogjve dhe kafshëve të vogla. Kur këto kafshë i nxjerrin farat, ato ngjiten në degë dhe fillojnë të depërtojnë në lëvoren e bimës pritëse për të marrë lëndë ushqyese.

Në disa raste, veshtullat mund të parazitojnë edhe njëra-tjetrën. Në Andet e Kilit, një specie veshtulle arrin të rritet në lartësi më të mëdha duke u vendosur mbi një veshtull tjetër, pra “një parazit mbi një tjetër parazit”.

Veshtulla mund të jetë fatale për bimën pritëse vetëm në kushte të caktuara, si thatësira e fortë ose kur bimët nuk janë vendase dhe nuk kanë evoluar bashkë me të. Në natyrë, ajo rrallë i vret pemët vendase, sepse edhe vetë veshtulla varet nga mbijetesa e tyre.

Shpesh, veshtulla sjell përfitime për kafshët dhe për bimët përreth. Në Amerikën e Jugut, disa marsupialë të vegjël ushqehen kryesisht me kokrrat e veshtullës dhe ndihmojnë në përhapjen e saj. Gjithashtu, nektari i luleve të veshtullës tërheq pjalmues, gjë që rrit ndjeshëm pjalmimin e pemëve pritëse, deri në katër herë më shumë.

Edhe për njerëzit, veshtulla ka vlera mjekësore. Kulturat indigjene në Amerikën e Jugut e përdorin për gripin, dhimbjet e barkut, plagët apo edhe për shërimin e kockave. Në Europë, ekstraktet e veshtullës përdoren në trajtimin e disa llojeve të kancerit dhe studimet tregojnë se disa përbërës të saj mund të aktivizojnë reagimin antitumor të trupit.

Sipas studiuesve, vetitë shëruese të veshtullës mund të lidhen me substancat që ajo thith nga bima pritëse dhe i përqendron në veten e saj. Shumë nga këto njohuri kanë qenë prej kohësh pjesë e dijes tradicionale indigjene dhe shkenca moderne po fillon vetëm tani t’i kuptojë më mirë. / National Geographic