Vdes një nga gjinekologët e dënuar për rastin tragjik të Maја Kadievës – tre nga katër të akuzuarit kanë ndërruar jetë gjatë procesit 10-vjeçar

Disa ditë pasi u publikua vendimi gjyqësor për dy gjinekologët e akuzuar për vdekjen e lehonës Maја Kadieva dhe foshnjës së saj nga Dojrani, ka ndërruar jetë njëri prej tyre, Vençi Çalkov nga Gjevgjelia. Ai është i treti nga katër të akuzuarit që ka vdekur gjatë procesit gjyqësor që zgjati dhjetë vjet. Lindja ishte kryer në Spitalin e Përgjithshëm të Gjevgjelisë.

Gjykata e Lartë pranoi pjesërisht ankesën e Prokurorisë së Lartë të Shkupit dhe dënimin me kusht që Apeli Shkup shqiptoi më 15 tetor e shndërroi në dënim me burg prej 10 muajsh. Ndërsa ankesën e gjinekologut të dytë, Donço Moskov, e hodhi poshtë dhe mbeti në fuqi dënimi alternativ me gjashtë muaj burg, që do të ekzekutohet vetëm nëse brenda dy viteve ai kryen një vepër të re penale.

Të dy gjinekologët ishin të akuzuar për veprën penale “Vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve” sipas nenit 217, paragrafi 4 të Kodit Penal, për të cilën parashikohet dënim prej 6 muaj deri në pesë vjet burg. Në këtë rast ishin të akuzuar edhe anesteziologët Zoran Jovanovski, i cili vdiq gjatë hetimit, dhe Tome Vançev, i cili vdiq para dy vitesh. Vdekja e Maја Kadieva dhe foshnjës së saj ndodhi më 22 tetor 2015, rreth orës 22:15.

Në Gjykatën Themelore të Velesit, gjyqtarja Gabriela Gajdova në dy raste dha aktgjykim lirues për gjinekologët, ndërsa për anesteziologun Vançev dha dënim efektiv me burg. Gjykata e Apelit i konfirmonte dënimet, ndërsa Gjykata e Lartë këtë pranverë e ktheu lëndën në rigjykim. Pas kësaj, Apeli i Shkupit shqiptoi dënime me kusht, ndërsa në garë me afatin e parashkrimit, më 6 tetor, Gjykata e Lartë mbajti seancë publike dhe më 22 tetor, në ditën e fundit të afatit, mori vendimin, i cili u publikua në fund të nëntorit.