Vdekja e foshnjës, Lazarov: U shkaktua nga pneumotoraks

Vdekja e foshnjës V.I., më 1 tetor në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Akusheri në Shkup, u shkaktua nga pneumotoraks masiv i djathtë, emfizemë pulmonare, edemë cerebrale, hipertrofi e pleksusit cerebral dhe insuficiencë kardiake.

Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka siguruar dokumentacionin mjekësor dhe ka kërkuar formimin e një komisioni nga Ministria e Shëndetësisë për të hetuar lëshimet e mundshme në trajtim.

“Është realizuar radiografi nativ e mushkërive në klinikë me gjetje të pneumotoraksit parcial në anën e majtë, pas së cilës foshnja është seduar menjëherë, është intubuar dhe është vendosur në ventilim mekanik, si dhe është aplikuar terapi e trefishtë antibiotike për shkak të sepsës kongjenitale. Në fletët mjekësore është shënuar se është konsultuar kirurg pediatrik, i cili ka rekomanduar trajtim konservativ të pneumotoraksit. Sipas dokumentacionit, në mëngjesin e 29 shtatorit, fëmija është reintubuar dy herë për shkak të ekstubimit spontan.”, – deklaroi drejtori i Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Kiril Lazarov.

Sipas Lazovit, gjendja e fëmijës është përkeqësuar, andaj është thirrur kardiokirurg pediatrik dhe kirurg pediatrik. Për shkak të gjendjes së rëndë është ndërmarrë reanimacion kardiopulmonar, është dhënë adrenalinë në tre raste, por pa sukses, dhe ka ndodhur vdekja e foshnjës.

Sipas Lazovit, nuk janë konstatuar mangësi në udhëheqjen e dokumentacionit mjekësor, gjithashtu thekson se është krijuar kërkesë për obduksion pranë Institutit të Patologjisë të Fakultetit të Mjekësisë, Shkup, por deri në ditën e mbikëqyrjes inspektuese nuk është përgatitur raport.