Vazhdon gjyqi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan

Gjyqi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan vazhdon sot në sallën e gjyqit në Idrizovë, pasi në seancën e kaluar mbrojtja e disa prej të akuzuarve e kundërshtoi aktakuzën, duke e vlerësuar si të paplotë dhe pa prova konkrete për veprimet individuale.

Rasti, në të cilin humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u plagosën, po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, me praninë e të akuzuarve, familjarëve të viktimave dhe një numri të madh gazetarësh.

Deri më tani, fjalën hyrëse, përveç prokurorisë, e kanë dhënë mbrojtja e të akuzuarit të parë – pronarit të diskotekës, Dejan Jovanov, pronarit të “MMMM Cafe”, Mitko Stojanov, punonjësit të sigurimit Stojanço Dimitriev dhe Grozdan Milkovski, pronar i objektit. Disa nga të akuzuarit në fjalët hyrëse kundërshtuan bazueshmërinë e aktakuzës.

Fjalë hyrëse dha edhe mbrojtja e ish-kryetarit të komunës Ratko Dimitrovski, e cila theksoi se aktakuza përbën precedent në praktikën juridike, veçanërisht në pjesën që lidhet me lidhjen shkak-pasojë. Sipas tyre, ai jo vetëm që nuk kishte qëllim apo dijeni, por kishte qenë i vetmi që kishte reaguar dhe kishte paraqitur kërkesë për mosdhënie leje për punë të diskotekës apo kabareve para se objekti të fillonte punën.

Mbrojtja e ish-kryetarëve të tjerë Nikollço Iliev dhe Ljupço Papazov theksoi se procedura po zhvillohet mbi bazën e një hetimi të paplotë dhe pa fakte që i lidhin drejtpërdrejt me katastrofën. Avokatët thanë se klientët e tyre kanë vepruar sipas ligjit dhe rregulloreve, se përgjegjësia për mbikëqyrjen është te shërbimet profesionale dhe se një dënim i padrejtë do të ishte “tragjedi e dytë”.

Ndërkohë, mbrojtja e inspektorëve të ndërtimit theksoi në fjalët hyrëse se “shkaku i tragjedisë nuk lidhet me mangësi ndërtimore të objektit” dhe se inspektorët “nuk kanë pasur mundësi të veprojnë, sepse nuk ka pasur kallëzim apo urdhër për kontroll”. Të gjithë shprehën keqardhje dhe ngushëllime për familjet e viktimave.

Mbrojtja e punonjësve të sigurimit e vlerësoi aktakuzën si të pabazë, pa prova konkrete dhe të ndërtuar mbi supozime kaotike. Avokatët theksuan se disa nga të akuzuarit kishin detyra të kufizuara dhe nuk mund të ndalonin futjen e piroteknikës, ndërsa si shkaqe kryesore të tragjedisë theksuan dështimet institucionale dhe mungesën e mbikëqyrjes.

Ende mbetet të jepet fjala hyrëse nga ish-drejtorët e DMSH, mes tyre Shaban Saliu, Adnan Xhaferovski, Bekim Maksuti dhe Xhevad Selami, si dhe nga inspektori i përgjithshëm i DMSH – Ljupço Grnçishtanov.

Më pas pritet fjala hyrëse e ish-ministrave Valon Saraçini dhe Kreshnik Bekteshi, si dhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë mes të cilëve: Xhevair Kamberi, Shefket Hazari, Zoran Nikollovski, Bekim Haxhiu, Arlinda Kasapi dhe Razmena Çekiç Duroviq.