Valbon Limani prezanton “Ura e Harmonisë” dhe bulevardin modern të Gostivarit

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) njofton qytetarët e Gostivarit se kandidati ynë për kryetar komune, Valbon Limani, prezantoi projektet kyçe strategjike për zhvillimin e qytetit dhe vizionin për të ardhmen e tij.

Gjatë konferencës për shtyp, Limani bëri të ditur se gjatë 16 muajve të mandatit të tij janë arritur rezultate konkrete përmes punës, vullnetit dhe integritetit, duke treguar se zhvillimi i qëndrueshëm është i mundur kur punojmë së bashku për qytetin tonë.

Projektet kryesore të prezantuara përfshijnë:

“Ura e Harmonisë” mbi lumin Vardar – një urë moderne me katër korsi për automjete, shtigje për biçikleta dhe trotuare për këmbësorë, që do të lehtësojë komunikacionin dhe do të kontribuojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Gostivarit. Të gjitha procedurat administrative dhe ligjore janë përfunduar dhe punimet do të fillojnë në pranverë.

Transformimi i bulevardit kryesor të qytetit – bulevardi tashmë është rikonstruktuar deri pranë Pallatit të Kulturës në një gjatësi prej 1.657 metrash me katër korsi funksionale. Janë arritur marrëveshje me pronarët e objekteve që pengonin zgjerimin e tij, ndërsa punimet për pjesën tjetër të bulevardit do të fillojnë gjithashtu në pranverë. Projekti përfshin ndriçim modern, shtigje për biçikleta dhe hapësira të gjelbra, duke e shndërruar këtë hapësirë në zemrën urbane të Gostivarit.

Valbon Limani theksoi se qasja ndaj zhvillimit është e planifikuar, e barabartë dhe gjithëpërfshirëse, duke garantuar përfshirjen e çdo lagjeje dhe fshati në procesin e transformimit të qytetit.

“Me vizion, punë dhe përgjegjësi, do të vazhdojmë të ndërtojmë një Gostivar më të fortë dhe më modern – me Gostivarin në zemër”, përfundoi Limani.

Aleanca Kombëtare për Integrim – Për një qytet të zhvilluar, të bashkuar dhe modern!

Fjalimi integral:

Të nderuar qytetarë, përfaqësues të mediave,

Ju falënderoj që jeni sot këtu. Vij para jush për të ndarë vizionin tonë për një Gostivar modern, të zhvilluar dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.

Gjatë 16 muajve të mandatit tonë, kemi dëshmuar se me punë, vullnet dhe integritet, rezultatet janë të prekshme. Tani synojmë hapjen e një kapitulli të ri për qytetin tonë, të bazuar në projekte konkrete që përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve.

Një nga projektet më të rëndësishme është ndërtimi i urës së re mbi lumin Vardar, e quajtur “Ura e Harmonisë”. Të gjitha procedurat administrative dhe ligjore për këtë projekt janë përfunduar, dhe në pranverë do të fillojnë punimet. Ura do të ketë katër korsi për automjete, shtigje për biçikleta dhe trotuare të sigurta për këmbësorë. Ajo do të lidhë lagjet e qytetit, do të lehtësojë komunikacionin dhe do të japë një shtysë reale zhvillimit ekonomik të Gostivarit.

Paralelisht, kemi nisur transformimin e bulevardit kryesor të qytetit. Ai tashmë është përfunduar deri pranë Pallatit të Kulturës, me gjatësi 1.657 metra dhe katër korsi funksionale.

Gjithashtu, kemi arritur marrëveshje me pronarin e një objekti që pengonte zgjerimin e sipërfaqes rrugore, konkretisht ndërtesa mes Komunës dhe urës ekzistuese mbi lumin Vardar. Projekti është gati, dhe në pranverë do të fillojë realizimi i punimeve për këtë pjesë të bulevardit.

Po ashtu, po zhvillojmë bisedime intensive me pronarët e objekteve në pjesën tjetër të bulevardit, nga udhëkryqi i rrugës së Dibrës deri te udhëkryqi drejt Spitalit të qytetit. Bisedimet janë konstruktive, me besim të ndërsjellë, dhe presim që marrëveshjet të finalizohen së shpejti.

Bulevardi do të shndërrohet në zemrën urbane të Gostivarit, me ndriçim modern, shtigje për biçikleta dhe hapësira të gjelbra për qytetarët. Ai do të jetë një hapësirë funksionale dhe sociale, ku qyteti zhvillohet bashkë me njerëzit e tij.

Qasja jonë ndaj zhvillimit është e planifikuar, e barabartë dhe gjithëpërfshirëse. Çdo qytetar, në çdo lagje dhe fshat të Gostivarit, do të jetë pjesë e këtij transformimi.

Faleminderit për besimin tuaj. Me vizion, punë dhe përgjegjësi, do të vazhdojmë të ndërtojmë një Gostivar më të fortë dhe më modern – me Gostivarin në zemër.