Valbon Limani: Kandidimi i Nevzat Bejtës po të mos ishte qesharak do të ishte tragjik, ai është një relikt politik që kandidon për herë të gjashtë





Në edicionin qendror të lajmeve në TV Alsat, kandidati për kryetar komune nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim – BDI dhe ASH, Valbon Limani, u pyet për kandidaturën e Nevzat Bejtës nga koalicioni VLEN për Gostivarin në zgjedhjet e 11 janarit.

“Me gjithë respektin për Nevzat Bejtën, unë mendoj që po të mos ishte qesharake do të ishte tragjike rikandidimi i tij. Ai është një relikt politik, i cili kandidohet për të gjashtën herë, dhe kjo është një mesazh shumë i keq për qytetarët dhe veçmas për të rinjtë,” tha Limani.

Ai shtoi se koalicioni VLEN ka humbur mundësinë për të propozuar një kandidaturë serioze, duke përmendur edhe kandidatin e mëparshëm Sebajdin Dautin dhe të besuarin e qeverisë Fadil Xhelilin. “Por ja që i zhgënjyen ata dhe sërish kandiduan për të gjashtën herë zotri Bejtën. Besoj që qytetarët qartë do të flasin më 11 janar,” theksoi Limani.

Limani u pyet edhe për akuzat e Bejtës, lidhur me borxhet e trashëguara nga qeverisja e Arben Taravarit, si dhe për shtimin e borxhit gjatë mandatit të tij. “Nuk do të komentoj akuzat e Bejtës, sepse për atë flet vet ai, dhe gjithë këto 23 vjet të aktivitetit të tij politik, qytetarët e dinë shumë mirë se çka dhe sa vlejnë fjalët e tij,” tha Limani.