Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, u shfaq publikisht të dielën, pas disa ditësh mungesë që ndezën spekulime se ai ishte arratisur për shkak të përshkallëzimit të tensioneve me SHBA-në.
Maduro, i cili zakonisht shfaqet disa herë në javë në televizionin shtetëror, nuk ishte parë që nga e mërkura, duke hapur rrugë zërave për vendndodhjen e tij. Ai doli në një event vjetor për çmimet e kafesë në Karakas, ku shpërndau medalje për prodhuesit dhe foli shkurt, pa iu referuar krizës aktuale.
Në fund të aktivitetit ai deklaroi se Venezuela është “e pathyeshme”, në një mesazh të nënkuptuar ndaj SHBA-së, e cila ka dislokuar anije luftarake dhe rreth 15 mijë trupa në rajon. Karakasi akuzon Uashingtonin se kërkon largimin e Maduros me forcë.
Shfaqja e tij erdhi pak pasi Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se kishte zhvilluar një telefonatë me Maduron, pa dhënë detaje për përmbajtjen e saj. Administrata venezuelase nuk ka komentuar për bisedën.
Ndërkohë, Maduro i ka dërguar një letër OPEC-ut, duke akuzuar SHBA-në se synon të marrë rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës. Ministri i Jashtëm Yvan Gil e publikoi letrën, duke theksuar se vendi do të mbrojë pasuritë e tij natyrore “me vendosmëri”.
Tensionet u rritën më tej pasi Karakasi akuzoi SHBA-në për “vrasje”, duke pohuar se disa venezuelas janë vrarë nga sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe. Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, tha se do të ngrihet një komision hetimor për incidentet që kanë shkaktuar mbi 80 viktima sipas autoriteteve venezuelase.
SHBA-ja ka mohuar akuzat, duke insistuar se operacionet e saj synojnë trafikun e drogës dhe jo burimet e naftës së Venezuelës.
Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut vazhdojnë të akuzojnë qeverinë e Maduros për represion dhe shkelje të të drejtave, ndërsa dhjetëra persona janë ndaluar këtë muaj për arsye politike, akuza që qeveria i hedh poshtë.