Trump ngre padi ndaj BBC për shpifje, kërkon 10 miliardë dollarë

Donald Trump ka paditur BBC-në, duke kërkuar deri në 10 miliardë dollarë dëmshpërblim, për shkak të montimit të një fjalimi që ai mbajti më 6 janar 2021 para mbështetësve të tij në Uashington, pak para sulmit ndaj Kapitolit.

Sipas padisë së dorëzuar në Gjykatën Federale të Floridës, Trump pretendon se BBC ka redaktuar “me qëllim, keqdashje dhe në mënyrë mashtruese” fjalimin e tij në një episod të emisionit Panorama, duke bashkuar pjesë të thëna gati një orë larg njëra-tjetrës, për të krijuar përshtypjen se ai nxiti dhunë, shkruan TheGuardian.

Sipas The Guardian, ai kërkon nga 5 miliardë dollarë dëmshpërblim për shpifje dhe për shkelje të ligjit të Floridës për praktika mashtruese tregtare.

BBC ka pranuar më herët se redaktimi ishte një “gabim gjykimi” dhe i është kërkuar falje Trumpit, por ka theksuar se nuk ka bazë ligjore për pretendime për shpifje.

Pas kësaj çështjeje, drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe drejtoresha e BBC News, Deborah Turness, dhanë dorëheqjen muajin e kaluar, në mes të kritikave për probleme serioze në mbulimin editorial.

Trump argumenton se gjykata e Floridës ka juridiksion, pasi BBC zhvillon aktivitet biznesi në SHBA përmes faqes së saj dhe platformës BritBox. Edhe pse episodi i Panorama nuk u transmetua në SHBA, ekipi ligjor i Trump thotë se redaktimi, i transmetuar pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, përbënte përpjekje për të ndikuar në zgjedhje.

Padia kundër BBC-së vjen pas disa fitoreve ligjore të Trump ndaj mediave amerikane. Ai ka arritur marrëveshje milionëshe me ABC dhe Paramount/CBS për padi të ngjashme lidhur me shpifje dhe redaktim intervistash.

Trump vazhdon të mohojë përgjegjësinë për ngjarjet e 6 janarit 2021 dhe, pas rikthimit në detyrë këtë vit, ka falur qindra persona të përfshirë në sulmin ndaj Kapitolit. Ndërkohë, organizata për lirinë e medias i kanë bërë thirrje BBC-së të qëndrojë e fortë dhe ta kundërshtojë padinë, duke e cilësuar kërkesën për 10 miliardë dollarë si të pajustifikuar dhe absurde.