Tre legjenda në një foto të përbashkët. Në fakt, jo vetëm legjenda të së kaluarës, por arkitektët e brezave të rinj që po formohen në shkollën e futbollit të Shkëndijës. Aty ku çdo talent nis nga pika zero, nga hapat e parë të topit, nga ajo që quhet ABC-ja e futbollit – dhe nga aty fillon rrugëtimi drejt majave më të larta të këtij sporti informon Tetovasot.
Në këtë foto janë tre figura që prej vitesh i japin shpirtin dhe zemrën zhvillimit të talenteve të Shkëndijës:
Husein Kadriu, koordinator i grupmoshave më të vogla, një njeri që ka ndërtuar sistemin ku rriten e formohen qindra fëmijë çdo vit.
Ejup Sulejmani, trajneri që mbetet sinonim i përkushtimit dhe i punës me fillestarët, duke ua mësuar bazat, disiplinën dhe dashurinë për futbollin.
Bashkim Arifi, pjesë e pandashme e strukturës së akademisë, duke kontribuar fuqishëm në formimin teknik dhe edukativ të gjeneratave të reja.
Shkolla e futbollit Shkëndija prej vitesh është një nga qendrat më të rëndësishme të prodhimit të talenteve në Maqedoninë e Veriut. Dhjetëra futbollistë që sot luajnë në liga të ndryshme, brenda e jashtë vendit, kanë dalë pikërisht prej këtij sistemi. Kjo akademi nuk është vetëm vend stërvitjeje, por një mekanizëm i tërë edukimi sportiv, ku kultivohet karakteri, disiplina, puna ekipore dhe respekti.
Me figura si Kadriu, Sulejmani dhe Arifi, Shkëndija vazhdon me ritme të fuqishme prodhimin e yjeve të rinj, duke garantuar që e ardhmja e klubit është në duar të sigurta dhe profesioniste.
Në çdo brez të ri, në çdo fëmijë që vesh fanellën kuqezi për herë të parë, jeton ëndrra që këta tre njerëz e ndihmojnë të bëhet realitet. Shkëndija mbetet jo vetëm klub, por fabrikë e vërtetë e talenteve.Tetovasot
