Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkupin pas zjarrit që shpërtheu mbrëmë në ambientet e një fabrike në lagjen Gazi Babë. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 13 dhjetor 2025, rreth orës 21:29, në SPB Shkup është raportuar se kishte rënë zjarr në dy magazina, në pronësi të M.R. (46), të cilat ishin dhënë me qira personave të tjerë.
Në vendngjarje kanë intervenuar ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin.
Gjatë ditës së sotme, më 14 dhjetor 2025, gjatë kryerjes së këqyrjes në njërin nga objektet e djegura, i cili përdorej nga M.A. nga Shkupi, është gjetur trupi i djegur i një personi mashkull.
Identiteti i viktimës ende nuk është bërë i ditur. Nga MPB njoftojnë se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit, si dhe për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit dhe rrethanave që kanë çuar në humbjen e jetës.