Marina suedeze raporton se përballet pothuajse çdo javë me nëndetëse ruse në Detin Baltik, ndërsa Stokholmi vlerëson se prania ushtarake e Moskës në rajon do të rritet sapo të vendoset një armëpushim në Ukrainë. Lajmin e bëri të ditur shefi i operacioneve të marinës, kapiten Marko Petkovic, i cili tha se Rusia po “forcon vazhdimisht” kapacitetet e saj detare dhe është në proces të një modernizimi të qëndrueshëm të flotës.
Sipas tij, identifikimi i mjeteve detare ruse është bërë rutinë për marinën suedeze. “Është shumë e zakonshme. Numri i rasteve është rritur vitet e fundit,” deklaroi Petkovic. Rajoni i Baltikut po përballet gjithashtu me rreziqe të shtuar, ndër to sulme të dyshuara hibride me dronë, sabotim të mundshëm të infrastrukturës nënujore, si dhe qarkullimin e anijeve të vjetra të transportit të naftës nga e ashtuquajtura “flotë hije” ruse.
Muajin e kaluar, edhe Mbretëria e Bashkuar ngriti alarmin pasi një anije ruse spiune hyri në ujërat britanike dhe përdori rreze lazer ndaj pilotëve ushtarakë, duke sinjalizuar, sipas autoriteteve britanike, fillimin e një “epoke të re kërcënimesh”.
Petkovic theksoi se topografia nënujore e zonës u jep avantazh nëndetëseve, të cilat shpesh fshihen në terrenin e thyer. Ai shtoi se Rusia po prodhon çdo vit një nëndetëse të klasës “Kilo” në Shën Petersburg dhe në enklavën e Kaliningradit, duke e konsideruar këtë pjesë të një programi të mirëfilltë modernizimi të flotës.
“Pas një armëpushimi në Ukrainë, ne vlerësojmë se Rusia do të shtojë edhe më shumë praninë e saj në rajon. Për këtë arsye marina suedeze duhet të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj”, tha Petkovic.
Ai ngriti shqetësime edhe për flotën civile ruse të cisternave që transportojnë naftë në mënyrë të maskuar. “Flota hije në vetvete nuk është një kërcënim ushtarak, por mund të përdoret për operacione që ndikojnë sigurinë e vendeve tona, përfshirë edhe nisjen e dronëve,” u shpreh ai.
Sipas Petkovic, infrastruktura nënujore në Baltik mbetet veçanërisht e ekspozuar për shkak të dukshmërisë së ulët, kripësisë dhe temperaturës së ujit. Kjo prek kryesisht Suedinë, Norvegjinë, Finlandën, Estoninë dhe Lituaninë, vende të varura nga linjat detare për komunikim dhe furnizim.
Megjithatë, Petkovic vlerëson se vigjilenca e shtuar e NATO-s ka sjellë përmirësime. “Që nga krijimi i operacionit ‘Baltic Sentry’ në janar, nuk kemi pasur asnjë incident me kabllot nënujore”, tha ai, duke nënvizuar se prania e aleancës ka rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin dhe kujdesin e flotës tregtare në rajon.