Stojanoski: Ndryshimet në Kodin Penal janë zgjidhje e përkohshme për të parandaluar amnistinë





Bojan Stojanoski, deputet nga radhët e VMRO-DPMNE-së, deklaroi se ndryshimet në Kodin Penal përbëjnë një zgjidhje të përkohshme, e nxitur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të marrë në shkurt të këtij viti, me të cilin Kuvendit i ishte urdhëruar që deri në fund të vitit të ndryshonte ligjin.

Stojanoski sqaroi se në Ministrinë e Drejtësisë është formuar një grup pune që po punon intensivisht për hartimin e një Kodi Penal të ri, i përshtatur me direktivat dhe standardet evropiane, zbatimi i të cilit pritet në vitin 2026.

Ai shtoi se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka dorëzuar një propozim-ndryshim me qëllim që të parandalohet shfuqizimi i dispozitave të Kodit Penal, gjë që do të çonte në amnisti të plotë të çështjeve gjyqësore aktive dhe do të krijonte një boshllëk serioz ligjor.

– Në vendin tonë aktualisht ka 2 procese nga aspekti i Kodit Penal. Njëri që po përgatitet në Ministrinë e Drejtësisë dhe që është pjesë e Agjendës së Reformës, pritet të miratohet në vitin 2026. Dhe kjo zgjidhje e përkohshme që ne si grup deputetësh e dorëzuam është për të parandaluar amnistinë për një pjesë më të madhe të grupit të njerëzve që kanë kryer vepra penale sipas këtyre kvalifikimeve, por edhe për të siguruar shtetin ligjor të paktën deri sa të miratojmë Kodin e ri Penal – tha Stojanoski për Sitel.