Spiropali arrin në Shkup, pritet nga Fetai dhe Murtezani





Zëvendëskryreministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai ka realizuar sonte darkë pune me ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali e cila nesër dhe pasnesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në vend. Fetai në takim është shoqëruar nga ministri për Çështje evropiane, Orhan Murtezani dhe zv/ministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha.

Nesër Spiropali pritet të zhvillojë gjithashtu takim edhe me kryetarët e koalicionit qeveritar VLEN, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Bekim Sali. Ajo do të pritet edhe nga presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Parlamentit Afrim Gashi dhe ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski.

Në këto takime, Spiropali pritet të rikonfirmojë mbështetjen e fortë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se zgjerimi i BE-së mbetet një instrument strategjik për paqe, stabilitet dhe qëndrueshmëri demokratike në Evropën Juglindore.

Ministrja, njëherësh pritet të vlerësojë rolin vendimtar të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut në ruajtjen e stabilitetit dhe avancimin e proceseve euroatlantike, si dhe rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit si themel i harmonisë shumëetnike dhe kohezionit social.
Si përfundim, Spiropali do të zhvillojë një vizitë edhe në ITSHKSH, derisa udhëtimi i saj do të përmbyllet me një bashkëbisedim në Universitetin e Tetovës.