Siria nxjerr në qarkullim monedhë të re, duke hequr fytyrat e familjes Assad nga kartëmonedhat





Siria prezantoi të hënën kartëmonedha të reja, përfshirë një ridenominim që heq disa zero dhe largon portretet e familjes Assad, si një hap drejt forcimit të identitetit kombëtar dhe rikthimit të besimit në ekonomi.

Ceremonia e lançimit u mbajt në Pallatin e Konferencave në Damask, në prani të Presidentit Ahmed al Sharaa dhe bashkëshortes së tij Latifa al Droubi, sipas Agjencisë Arabe Siriane të Lajmeve (SANA).

Sharaa dhe Guvernatori i Bankës Qendrore, Abdul Qader Husariya, zbuluan prerjet e reja, duke njoftuar fillimin e një tranzicioni gjithëpërfshirës monetar që synon forcimin e besimit në sistemin financiar të Sirisë.
Konsulenti i menaxhimit Abdulah Al Shamma tha se një ekip ekspertësh sirianë ka punuar së bashku me stafin e Bankës Qendrore për t’i vlerësuar kushtet dhe për t’i studiuar përvojat ndërkombëtare, duke shtuar se strategjia është zhvilluar mbi baza shkencore “për të rikthyer pozitën e Bankës Qendrore mes homologëve të saj globalë”.
Shamma tha se reforma bazohet në pesë shtylla: politikën monetare dhe stabilitetin e çmimeve; një treg të balancuar dhe transparent të këmbimit valutor; një sektor bankar të shëndoshë; pagesa digjitale të sigurta; dhe integrim financiar ndërkombëtar me përfshirje financiare të qëndrueshme.

Sharaa e përshkroi lançimin si “një shenjë të përfundimit të një faze të mëparshme që nuk na mungon” dhe fillimin e një etape të re drejt së cilës aspirojnë sirianët.

Në aspektet teknike, presidenti tha se heqja e dy zerove nga monedha e vjetër nuk e përmirëson vetvetiu ekonominë, por thjeshton transaksionet.
Ai theksoi se përmirësimi real varet nga rritja e prodhimit, ulja e papunësisë dhe forcimi i sektorit bankar, duke i quajtur bankat “venat e ekonomisë”./TRT Balkan/