Shtëpia e Bardhë thotë se Trump është i zhgënjyer nga Ukraina dhe Rusia: Dëshiron veprime, jo fjalë





Presidenti amerikan Donald Trump është “jashtëzakonisht i zhgënjyer” nga Ukraina dhe Rusia, deklaroi mbrëmë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolajn Levit.

Ajo shtoi se Trump është i lodhur nga takimet e pakuptimta dhe dëshiron të shohë veprime konkrete për t’i dhënë fund luftës.

“Ai nuk dëshiron më fjalë. Ai dëshiron veprime. Ai dëshiron që kjo luftë të përfundojë”, tha Levit.

Bisedimet me Kievin dhe Moskën vazhdojnë përmes të dërguarit special të SHBA-së, Stiv Uitkof, dhe ekipit të tij.

Dje, Trump tha se liderët evropianë kanë kërkuar takim me përfaqësuesit amerikanë.

“Nëse ka mundësi reale për të nënshkruar një marrëveshje paqësore, dhe nëse besojmë se këto takime meritojnë praninë e një përfaqësuesi amerikan që do t’i kushtojë kohën e tij këtë fundjavë, atëherë do të dërgojmë përfaqësues. Ende nuk jemi të sigurt nëse mund të arrihet paqe e vërtetë dhe nëse mund t’i avancojmë punët,” tha Levit.

Kievi bëri të ditur dje se kishte dorëzuar versionin e azhurnuar të planit për përfundimin e luftës me Rusinë.