Raphinha u ka bërë të ditur njerëzve të afërt se nuk ka ndërmend të largohet nga Barcelona pa e fituar më parë Ligën e Kampionëve me klubin katalanas, raporton Diario Sport.
Anësori brazilian ka fituar deri më tani pesë trofe me Barcelonën, dy tituj të La Ligës, një Kupë të Mbretit dhe dy Superkupa të Spanjës.
Megjithatë, ai nuk ndihet plotësisht i realizuar derisa të ngrejë lart trofeun e Ligës së Kampionëve.
Raphinha, i cili së fundmi ka mbushur 29 vjeç, ka marrë disa oferta shumë të majme financiare nga jashtë Evropës, por i ka refuzuar ato, pavarësisht shifrave të larta që i janë ofruar.
Braziliani së fundmi ka rinovuar kontratën me Barcelonën deri në vitin 2028.
Marrëveshja është më e shkurtër krahasuar me disa lojtarë të tjerë të skuadrës, çka sugjeron se vetë Raphinha e sheh të ardhmen e tij në “Camp Nou” si të kufizuar në kohë.
Tashmë mbetet të shihet nëse Raphinha do të arrijë ta realizojë ëndrrën e tij më të madhe me Barcelonën përpara se të mbyllë kapitullin e tij në klub.