Qeveria, në mbledhjen e sotme të rregullt të 140-të, miratoi Ligjin për Prokurorinë Publike, si një nga hapat kyç në zbatimin e agjendës reformuese nga Fusha 5 – Vlerat Fundamentale, me fokus të veçantë në sundimin e së drejtës.
Miratimi i këtij ligji përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe llogaridhënies së prokurorisë publike, si shtyllë e sistemit juridik dhe garantues i mbrojtjes së interesit publik. Ligji është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës të analizës, konsultimeve dhe harmonizimit me standardet evropiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Me zgjidhjen e re ligjore futen ndryshime në procedurën për zgjedhjen e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kritere dhe mekanizma të qartë të përcaktuar që sigurojnë një qasje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në sistemin e meritës gjatë përzgjedhjes së kandidatëve më cilësorë. Në ligj janë inkorporuar rekomandimet relevante, me qëllim që procesi të jetë i çliruar nga ndikimet politike dhe i bazuar ekskluzivisht në profesionalizëm, integritet dhe kredibilitet profesional.
Githashtu, ligji parashikon afate precize dhe obligative për procedurat e përzgjedhjes dhe avancimit, si dhe vendoset principi i kategorizimit të përgjegjësisë disiplinore të prokurorëve publikë, gjë që kontribuon në siguri më të madhe juridike, parashikueshmëri dhe funksionalitet të sistemit, e njëkohësisht edhe përgjegjësi më të madhe të vetë prokurorëve publikë. Në këtë mënyrë forcohet besimi i qytetarëve në institucionet dhe vendoset llogaridhënie më e qartë në punën e prokurorisë.
Qeveria mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj reformave në drejtësi si prioritet i interesit më të lartë publik dhe si parakusht i domosdoshëm për përparimin e shtetit në rrugën evropiane. Miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike është dëshmi konkrete e përcaktimit për të ndërtuar institucione të fuqishme, të pavarura dhe profesionale, në shërbim të qytetarëve dhe sundimit të së drejtës.
