Durmish Beluli, pronari i “Durmo Turs”, i dënuar për tragjedinë në Laskarcë, po kërkon një shtyrje të re të vuajtjes së dënimit me 10 vite burg. Gjyqtari Qirko Mihajlloski tha për TV Telmën se të premten, në Gjykatën e Gostivarit, ka mbërritur një kërkesë e shoqëruar me raport të mjekut specialist, sipas të cilit Belulit i nevojitet pushim postoperativ për së paku 20–30 ditë nga operacioni i kryer më 1 dhjetor.
Mihajlloski tha se nesër do të marrë sërish deklaratë nga mjeku që e ka operuar Belulin për hernie testikulare në spitalin e Tetovës dhe do të vendosë para skadimit të afatit, sipas të cilit pronari i “Durmo Turs” duhet të paraqitet në burgun e Idrizovës deri nesër në ora 15:00.
I akuzuari i dytë, shefi i parkut të automjeteve Remzi Miftari, ndodhet në arrati dhe ndaj tij është shpallur fletarrest, pasi nuk u paraqit në Idrizovë për vuajtjen e dënimit 10-vjeçar. Më herët, edhe ai e kishte shtyrë shkuarjen në burg për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale.