Vjosa Osmani i kishte të qarta objektivat e saj gjatë takimit me Papa Leonin XIV në Vatikan.
Presidentja e Kosovës diskutoi thellimin e bashkëpunimit, me shpresën që Selia e Shenjtë “do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës”. Gjatë qëndrimit në Vatikan, Osmani e cila i drejtoi Papës edhe një ftesë për të vizituar Kosovën, ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Selisë së Shenjtë.
“Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë. Në frymën e festës së Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe e harmoni në gjithë botën”, shprehet Vjosa Osmani.
Pavarësisht se Vatikani nuk e njeh Kosovën, dy vendet mbajnë raporte mes vete. Në janar të vitit 2024, Kosova ka hapur Misionin e Posaçëm në Vatikan. Sakaq në maj të këtij viti, raportet u thelluan edhe më shumë me emërimin e Luigji Biankos si nunc apostolik në Slloveni dhe delegat apostolik për Kosovën. Nunc apostolik është përfaqësuesi diplomatik më i lartë i Vatikanit në një shtet të caktuar – ngjashëm me ambasadorët e shteteve të tjera, si dhe përfaqësues i Papës pranë kishës katolike lokale. Ky vendim, që u mor vetëm 12 ditë pasi Papa Leoni mori drejtimin e Kishës Katolike, u mirëprit nga Ipeshkvia e Kosovës, që e pa si sinjal të mirë për vendin. Për shkak të mosnjohjes së Kosovës, Vatikani nuk emëron nunc apostolik, por vetëm delegat dhe për herë të parë delegat apostolik Vatikani ka emëruar për Kosovën që nga viti 2011.