Polici nga Shkupi arrestohet për zhvatje – kërkonte 20 mijë euro, pezullohet nga puna





Pas një denoncimi paraprak nga një qytetar për veprën penale “zhvatje” të kryer nga zyrtari policor H.Z. (48) nga Sektori për Punë Kriminalistike Gazi Babë, Sektori për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ndërmori masa dhe veprime për zbardhjen e rastit.
Sipas kallëzimit, qytetari ka raportuar se H.Z., së bashku me persona të tjerë, në disa raste i kanë kërkuar 20.000 euro, para që gjoja djali i ankuesit i kishte marrë prej tyre. Pas kësaj, janë ndërmarrë masa dhe është kryer përpunim kriminalistik-teknik i mjeteve monetare, ndërsa më 25.12.2025, në zonën e Qendrës (Shkup) menjëherë pas dorëzimit të parave, H.Z. është privuar nga liria. Gjatë kontrollit personal, tek ai janë gjetur 20 kartëmonedha nga 50 euro.
I dyshuari është mbajtur në stacion policor, ndërsa Njësia për Krime të Dhunshme pranë Sektorit për Krime të Dhunshme të SPB Shkup, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër H.Z., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “zhvatje” sipas nenit 258 të Kodit Penal.
Ndërkohë, Sektori për Kontroll të Brendshëm do të paraqesë propozim për nisjen e procedurës për përgjegjësi disiplinore ndaj H.Z. dhe do të shqiptojë masën e detyrueshme të largimit nga vendi i punës deri në përfundimin e procedurës disiplinore. Gjithashtu, gjyqtari i procedurës paraprake i ka caktuar të dyshuarit masa kujdesi.