Përballja me Man Cityn vulos të ardhmen e Xabi Alonsos, Reali konsideron dy opsione për ta zëvendësuar teknikun spanjoll

Real Madridi i ka kërkuar trajnerit Xabi Alonso të fitojë me patjetër ndaj Manchester Cityt në “Santiago Bernabeu” në rast që dëshiron të vazhdojë në krye.

Situata te “Los Blancos” është shumë e tensionuar, sidomos pas humbjes nga Celta Vigo, ku gjiganti spanjoll ka vetëm dy fitore në shtatë ndeshjet e fundit.

Siç raporton “El Mundo”, ka pasur një takim të hënën në mëngjes te Real Madridi, ku drejtuesit e klubit u mblodhën për të vendosur nëse tekniku spanjoll duhet të vazhdojë ose jo.

Nga takimi, që u zgjat përtej orës një pas mesnate, doli një përfundim i qartë: Ndeshja ndaj Manchester Cityt është shansi i fundit për Alonson.

Raporti mes dhomës së zhveshjes dhe trajnerit konsiderohet i pariparueshëm, ndërsa Real Madridi tashmë ka nisur të shikojë tregun e trajnerëve për zëvendësuesin e tij. Në listën e favoritëve janë dy emra: Zinedine Zidane dhe Jurgen Klopp.

Raporti me dhomën e zhveshjes, i prishur

Në fund, pas ndarjes së mendimeve në kupolën e klubit, fitoi ideja që Alonso të mbahej të paktën deri të mërkurën, por që nga ajo orë e parë e mëngjesit ka nisur paralelisht sondimi i tregut të trajnerëve.

Të gjithë janë të vetëdijshëm se një pjesë e madhe e dhomës së zhveshjes është kundër trajnerit, diçka e paqëndrueshme për funksionimin e Real Madridit.

Edhe konferenca për shtyp e trajnerit nuk ndihmoi për të qetësuar tensionet në zyrat drejtuese.

Alonso e përdori edhe lëndimin e Militaos si një nga arsyet për paraqitjen e dobët në orën e parë të lojës. “Na kushtoi shumë ta rimerrnim veten emocionalisht pas kësaj”. Kjo deklaratë nuk u prit mirë nga drejtuesit.

I pyetur nëse ndihej me forcë për të vazhduar, Alonso u përgjigj shkurt. “Sigurisht”.