Pas videos në rrjete sociale, MPB vepron: Gjashtë të mitur thirren në polici për rrahjen në Saraj





MPB njofton se dje (12.12.2025) në SPB Shkup është raportuar se rreth orës 12:00, para Shkollës Fillore “Diturija” në Saraj të Shkupit, gjashtë nxënës kanë sulmuar fizikisht dy nxënës të klasës së 9-të.

Ngjarja është publikuar edhe në rrjetet sociale, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë menjëherë masa dhe aktivitete për zbardhjen e plotë të rastit.

Me prindërit e të miturve të sulmuar është zhvilluar bisedë zyrtare, ndërsa sot është kryer bisedë edhe me vetë të miturit e dëmtuar. Tek njëri prej tyre mjeku ka konstatuar lëndime të rënda trupore, ndërsa tek tjetri janë konstatuar lëndime trupore.

Janë identifikuar nxënësit që e kanë kryer sulmin, të cilët janë të moshës nga 13 deri në 15 vjeç. Gjatë ditës së sotme, të gjithë gjashtë personat janë thirrur në Stacion Policor.

Për ngjarjen është njoftuar Prokurori Publik. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personave do të parashtrohet kallëzim penal për veprën penale “dhunë” sipas nenit 386 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.