Nipi i Nehat Kullës hidhet nga ura 160 metër e lartë! Gjendet trupi i pajetë i 40-vjeçarit

Një ngjarje e rëndë u shënua mbrëmjen e djeshme (8 dhjetor) rreth orës 23:00 në urën e fshatit Fshat, përgjatë aksit të Rrugës së Arbrit.

Sipas burimeve nga vendngjarja, dyshohet se një 40-vjeçar, nip i Nehat Kullës, është vetëhedhur nga ura, raporton News24.

Mësohet se ai ka ndaluar automjetin në mes të urës, ka zbritur prej tij, është ngjitur mbi mbrojtëset anësore dhe më pas është hedhur në humnerë, ku edhe ka humbur jetën.

Ura, e cila ka një lartësi rreth 158 metra konsiderohet si më e larta në Ballkan.

Klos / Informacion paraprak

Më datë 08.12.2025, rreth orës 23:40, tek ura e fshatit Fshat, bashkia Klos, shtetasi K.K., rreth 39 vjeç, dyshohet se është vetëhedhur nga ura dhe për pasojë, ka humbur jetën.

Si pasojë e terrenit të vështirë, pas disa orësh kërkimi nga shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikësve, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit nga gremina.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

KUSH ISHTE NEHAT KULLA

Nehat Kulla ndërroi jetë më 16 Qershor 2020 në moshën 67- vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë në mushkëri. Nehat Kulla la qelinë e burgut më 13 korrik të vitit 2019, pas përfundimit të dënimit me 20 vite burg.

Ai ishte dënuar nga Gjykata e Kavajës për vrasjen e ish-shoferit të ish-zëvendësministrit të Arsimit, Halit Shamata, në vitin 1998. Gjatë vitit 2018, “gjenerali” kishte bërë kërkesë për lirim të parakohshëm, por më vonë u tërhoq.

Përgjatë viteve të dënimit, Kulla kishte përfituar edhe nga uljet e dënimit bërë ndër vite. Ai qëndronte në burg që nga viti 2005 dhe me gjithë uljet e dënimeve që kishte marrë, e kishte plotësuar dënimin prej 20 vitesh.

“USHTRIA” E NEHATIT

Banda e Nehat Kullës ishte një grup kriminal që veproi në fshatin Tufinë të Tiranës në vitet 1997-1998, që në atë kohë njihej si “ushtria” dhe vetë Nehati njihej si “gjenerali”.

Banda u krijua gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë situatë, ai së bashku me familjarë e miq të tij, mban të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetes edhe nofkën “gjenerali”, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës, për të cilët ai ishte njeriu më me influencë.

Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, Nehati arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme. I ashtuquajturi “gjeneral” kishte grabitur edhe një kamionçinë ushtarake tip “Chevrolet” me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake.

Të paktën në atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë.

Të ngjajshme