Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të enjte, 4 dhjetor 2025 në Vlorë.
Raportohet se një grua, rreth 50 vjeçe, duke ecur në bulevardin “Ismail Qemali”, është rrëzuar përtokë.
Pas rrëzimit, gruaja ka humbur jetën. Vdekja i ka ardhur pasi ka plasur kokën në një prej bordurave të bulevardit të Vlorës.
Me anë të një njoftimi, policia jep detaje nga ngjarja e rëndë.
“Sot, rreth orës 11:30, në lagjen “Pavarësia 2”, në bulevard, përballë stadiumit, një shtetase rreth 50 vjeçe dyshohet se si pasojë e erës së fortë, është rrëzuar dhe është përplasur në trotuar, duke ndërruar jetë.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin e viktimës”, njofton policia.
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë të enjte në qytetin e Vlorës, ku për shkak të erës së fortë humbi jetën aksidentalisht një grua e moshës rreth 50 vjeçe, ka folur në një deklaratë për mediat një dëshmitare.
Dëshmitarja për këtë ngjarje është një grua, e cila ka treguar se si 50-vjeçarja u rrëzua dhe humbi jetën.
“Aty ishin dy nga ata që fshinin rrugët, ata të bashkisë, një burrë dhe një grua, ishin me një karrocë që dhe çadrën ua mori era, ua përthyeu, dhe unë isha aty. Unë isha nga mbrapa dhe u thashë atyre, ikni. Ndërkohë sa vajta unë tek agjensia, ajo ra. Atë e mori era, ishte në biçikletë dhe i ra koka në bordurë, nuk u pengua. Bordura nuk ishte pengesë, ato janë vënë se janë të bukura”, u shpreh ajo.