Nga Paqësori në SHBA, oraret e pritjes së Vitit të Ri 2026 në mbarë botën

Anembanë globit po bëhen përgatitjet e fundit për festimet e Vitit të Ri.

Në Times Square, tashmë është zhvilluar një provë gjenerale për festimet e sonte. Një “Top Konstelacioni” i ri, i sapoprodhuar, është montuar dhe organizatorët u mblodhën mbrëmë për ta testuar, duke e ngritur dhe ulur përgjatë shtyllës ikonike 139 metra të lartë.

Po ashtu, u testua edhe hedhja e konfetit, që mbuloi turmat me copa shumëngjyrëshe festive.

Ndërkohë, njerëzit janë paralajmëruar të mos vizitojnë një pikë të njohur vrojtimi në qendër të Londrës, ku zakonisht mblidhen mijëra persona për të parë fishekzjarrët e Vitit të Ri.

Primrose Hill, në zonën Camden, ofron pamje panoramike të kryeqytetit dhe në vitin 2024 rreth 30 mijë festues u mblodhën aty për të pritur Vitin e Ri. Megjithatë, këtë vit parku do të jetë i mbyllur.

Portat do të mbyllen nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit të nesërm.

Vendimi për mbylljen e këtij vendi të njohur erdhi pasi policia e dedikuar e parkut u hoq si pjesë e masave për uljen e kostove. Një zëdhënës i Royal Parks tha se vendimi nuk u mor lehtë:

“Vitin e kaluar, rreth 30 mijë persona vizituan Primrose Hill për të parë shfaqjen e fishekzjarrëve të organizuar nga kryetari i bashkisë së Londrës për natën e Vitit të Ri. Ky nuk ishte një aktivitet i organizuar zyrtarisht, por një grumbullim spontan në një park të hapur, ku kemi mundësi të kufizuara për të garantuar sigurinë publike.”

Qoftë me fishekzjarrë, shfaqje dritash apo me rënien tradicionale të topit, ndërsa viti 2025 po mbyllet, festimet po shpërthejnë në të gjithë botën.

Ja oraret e pritjes së Vitit të Ri sipas zonave kohore:

10:00 – Ishujt e Paqësorit, përfshirë Samoan dhe Kiribatin
11:00 – Zelanda e Re
13:00 – Australia
15:00 – Koreja e Veriut, Koreja e Jugut, Japonia
16:00 – Tajvani, Hong Kongu, Kina
17:00 – Tajlanda
18:30 – India
20:00 – Emiratet e Bashkuara Arabe
21:00 – Rusia
22:00 – Afrika e Jugut
23:00 – Gjermania
1 Janar

03:00 – Brazili
05:00 – Nju Jorku
08:00 – Los Anxhelosi