Nëna e një prej viktimave në “Puls”: Pse për Koçanin nuk kërkohet përgjegjësi nga ministri aktual dhe kreu aktual i ISHT-së!
Marija Petrushova, nëna e një prej viktimave të tragjedisë në diskotekën “Pulse” në Koçan, sot foli para Komisionit Anketues në Kuvend, pikërisht për zjarrin që ndodhi më 16 mars. Ajo theksoi se lufta për drejtësi të vërtetë është një luftë për të ardhmen e të gjithë fëmijëve dhe brezave në vend, ndërsa mes tjerash pyeti se pse nuk kërkohet përgjegjësi për ministrin aktual të Ekonomisë, sekretarin shtetëror të Ministrisë së Ekonomisë dhe drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut.
“Shohim që po procedohen vetëm ata që janë më poshtë, ndërsa mbajtësit e funksioneve, po aq përgjegjës, të cilët nga momenti i parë duhej të ishin pas hekurave, vazhdojnë të ecin lirshëm nëpër qytet, ndërsa fëmijët tanë janë nën tokë. Kjo vlen veçanërisht për përgjegjësit e SPB Koçan, SPB Shtip, Byrosë për Siguri Publike, Inspektoratit Shtetëror të Tregut, shefen aktuale në Koçani, shefin e sektorit për krim në Koçani, kryeinspektoren për krim ekonomik, si edhe përgjegjësin e ndërrimit në ditën e ngjarjes”, tha mes tjerash ajo.
Petrushova para deputetëve dhe funksionarëve theksoi se jetët në “Pulse” janë shuar tragjikisht për shkak të paaftësisë, papërgjegjësisë dhe korrupsionit që, siç tha ajo, e përfshin të gjithë sistemin shtetëror.
“Çdo qytetar duhet të pyesë veten – çfarë po ndodh me jetët tona, nëse diçka e tillë mund të përsëritet? Ku është siguria që shteti duhet ta garantojë? Ne jemi këtu për të kërkuar drejtësi. Nuk mund të qëndrojmë të qetë. Kërkesa jonë është që ky rast të trajtohet si shkelje serioze e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë te e drejta për jetën. Ajo që përjetuam përbën rrezik sistemik për të gjithë qytetarët. Kompetenca për rastin u takon MPB-së, Byrosë për Siguri Publike, Sektorit për Punë të Brendshme – Shtip, Departamentit të Punëve të Brendshme – Koçan, inspektores për krim ekonomik pranë DPB-Koçan, kryetarit të komunës dhe inspektorëve komunalë, Inspektoratit Shtetëror të Punës, Ministrisë së Ekonomisë, DAP-it, Inspektoratit Shtetëror të Zjarrfikjes, Agjencisë së Sigurisë ‘Rubikon’ dhe një sërë institucionesh të tjera. Në vend që t’i mbronin, sistemi i la fëmijët tanë në mëshirë të fatit, në një objekt që punonte ilegalisht dhe pa standarde të duhura të sigurisë. Kjo tragjedi është rezultat i lëshimeve sistemike dhe neglizhencës”, pohoi Petrushova.