Ndahet nga jeta legjenda gazetarisë sportive, komentatori i njohur Ismet Bellova

Është ndarë nga jeta një prej figurave më të njohura dhe emblematike të gazetarisë sportive shqiptare, Ismet Bellova. Ai ishte një nga zërat më të veçantë dhe historikë të mikrofonit shqiptar, komentator i dhjetëra sfidave sportive që kanë shënuar historinë e sportit në Shqipëri.

– Advertisement –
Ismet Bellova lindi në Tiranë më 1 qershor 1934. Arsimin e lartë e përfundoi në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960, për t’iu përkushtuar më pas me pasion dhe dinjitet profesionit të mësuesit të edukimit fizik dhe gazetarisë sportive. Ai ishte i martuar me Mjeshtren e Merituar të Sportit, Bukuroshe Shtiza.

Rrugëtimi i tij në sport nisi herët, në vitin 1948, kur u shpall kampion i vendit për të rinj në pingpong. Emri i Ismet Bellovës u bë pjesë e historisë së transmetimeve sportive shqiptare më 29 nëntor 1950, me komentimin e ndeshjes Dinamo–Partizani 1–0, finalja e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një karriere të gjatë dhe të suksesshme në Radio Tirana.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, Bellova u nderua me tituj dhe dekorata të shumta, mes tyre: “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi i Artë, Urdhrin e Punës Klasi I, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Sportit Dibran”, si dhe titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”.

Gjatë jetës së tij u vlerësua me një sërë çmimesh prestigjioze. Në vitin 2004 u krijua Çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive. Ai mori Çmimin e Karrierës në RTSH, dy herë Çmimin “Anton Mazreku”, si dhe “Mikrofonin e Artë”.

Ndarja nga jeta e Ismet Bellovës përbën një humbje të madhe për sportin dhe median shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë te brezat që edukoi, te dëgjuesit që e ndoqën ndër vite dhe në historinë e sportit shqiptar, ku emri i tij zë një vend nderi.
U prehtë në paqe.