ot (10.12.2025), në orët e hershme të mëngjesit, pjesëtarë të policisë nga Departamenti për luftimin e krimit të organizuar dhe të rëndë, nën drejtimin e një prokurori nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kryen bastisje në disa lokacione në fshatrat Brest, Inxhikovë dhe Haraçinë, si dhe në lagjet e Shkupit Metodija Andonov Çento dhe Çair.
Në aksion u arrestuan 12 persona: N.S. (70), F.S. (42), Q.S. (44), B.A. (40), S.D. (37), F.D. (35), N.A. (59), R.K. (27), N.L. (44), A.K. (35), Z.M. (61) dhe R.S. (27), për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer veprat penale “shoqatë kriminale” dhe “prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti të paautorizuar me armë ose materiale shpërthyese”. Një person shtesë dyshohet edhe për veprën penale “prodhim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve”.
Në Prokurorinë për Krim të Organizuar është paraqitur kallëzim penal kundër të gjithë 12 personave, të dyshuar se nga prilli 2025 deri në dhjetor 2025 kanë krijuar dhe janë bërë pjesë e një grupi kriminal të organizuar për kryerjen e veprave që dënohen me të paktën tre vjet burg.
S.D., nga persona për momentin të panjohur nga Kosova, kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar armë zjarri dhe municion për shitje të mëtejshme, të cilat më pas i kalonte ilegalisht në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Armët dhe municionet ishin depozituar në mënyrë ilegale në lokacione të sigurta në fshatrat Singeliç dhe Brest.
Nga provat e mbledhura rezulton se pjesëtarët e grupit kishin role të qarta: N.S., si një nga organizatorët, jepte udhëzime për gjetjen e blerësve potencialë dhe për ndërmjetësim të paautorizuar në tregtinë me armë dhe municion. S.D. siguronte në mënyrë të paautorizuar municion dhe koordinonte dorëzimin e armëve tek anëtarët e grupit, ndërsa N.A. mbante kontaktin me të dyshuarin kryesor dhe koordinonte dorëzimin tek blerësit e drejtpërdrejtë.
Gjithashtu, N.L., përveç ndërmjetësimit ilegal në tregtinë e armëve, dyshohet se ka shitur në mënyrë të paautorizuar edhe drogë të tipit kokainë.