“Mozaik në vargje – mozaik në gur”, një takim i veçantë letrar e kulturor në shtëpinë muze të akademik Izet Zeqirit
Shoqata e Shkrimtarëve “OENEUM” – Tetovë realizoi aktivitetin letrar “Mozaik në vargje – mozaik në gur”, i mbajtur në Shtëpinë muze të akademik prof. dr. Izet Zeqiri, në fshatin Xhepçisht informon Tetovasot.
Ngjarja u zhvillua në një atmosferë të veçantë kulturore dhe artistike, ku morën pjesë poetë tetovarë, anëtarë të Shoqatës, të cilët interpretuan krijimet e tyre poetike, duke ndërtuar një mozaik vargjesh, emocionesh dhe ndjesish artistike. Ambienti autentik i shtëpisë muze, i pasur me eksponate, relikte dhe elemente të trashëgimisë shqiptare, i dha aktivitetit një dimension të veçantë simbolik dhe estetik.
Në kuadër të këtij aktiviteti u prezantuan edhe punimet dhe pikturat e prof. dr. Izet Zeqirit, të cilat pasqyrojnë ndjeshmërinë e tij artistike dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj vlerave kulturore dhe kombëtare.
Akademik prof. dr. Izet Zeqiri njihet si një personalitet i shquar i arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare. Me një veprimtari të gjatë si profesor universitar, studiues dhe akademik, ai ka dhënë një kontribut të çmuar në gjuhësi, arsim dhe studime albanologjike, duke formuar breza të tërë intelektualësh. Shtëpia e tij muze përfaqëson një arkiv të gjallë të historisë, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Veprimtaria “Mozaik në vargje – mozaik në gur” u shndërrua në një takim domethënës mes poezisë, artit pamor dhe kujtesës kulturore, duke nderuar kontributin e vyer të akademik prof. dr. Izet Zeqirit dhe duke dëshmuar misionin e Shoqatës së Shkrimtarëve “OENEUM” për promovimin e letërsisë shqipe dhe vlerave kulturore shqiptare.
Me këtë rast, kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve “OENEUM”, Sadije Aliti, e nderoi akademik Izet Zeqirin me mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në shkencë, kulturë dhe arte pamore, duke theksuar se arti flet më bukur kur bashkohen tradita, mozaiku i punimeve dhe vargu poetik.



