Të nderuara media,
Të nderuar qytetarë,
Më lejoni t’ju informoj për vendimin e fundit që u miratua në mbledhjen e rregullt të 134 të Qeverisë, e cila u mbajt sot.
U miratua propozimi për shkarkimin e Ljupço Kocevskit nga funksioni prokuror publik, me çka e vazhdojmë procedurën e cila, për shkak të kufizimeve ligjore, ishte përkohësisht e ndërprerë gjatë periudhës zgjedhore.
Arsyet për këtë iniciativë janë publikisht të njohura dhe i kemi shpjeguar disa herë si Qeveri, në mënyrë konsekuente, transparente dhe në interes të mbrojtjes së integritetit institucional dhe përgjegjësisë. Qëllimi ynë mbetet i qartë. Forcimi i shtetit të së drejtës dhe sigurimi i funksionimit të pandërprerë të organeve në shërbim të qytetarëve.
Bazuar në nenin 88 paragrafi 1 të Ligjit për Prokurorinë Publike dhe pas marrjes së mendimit paraprak nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, Qeveria i propozon Kuvendit që ta shkarkojë Ljupço Kocevskin nga funksioni i prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë, për shkak të gabimeve të rënda profesionale gjatë udhëheqjes së Prokurorisë Publike, të cilat kanë çuar në dëmtimin e efikasitetit dhe funksionalitetit të institucionit.
Shpalosje e paautorizuar e informacioneve dhe të dhënave për çështjet gjyqësore, duke shkelur kështu detyrimin për mbrojtjen e sekretit të procedurës sipas ligjit.
Dëmtim të reputacionit të Prokurorisë Publike dhe reputacionit të tij personal.
Mosveprim në përputhje me detyrimet e parashikuara në Kushtetutë, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën.
Si pasojë e shkeljeve të kryera gjatë periudhës së kaluar, funksionaliteti i dëmtuar i Prokurorisë Publike është evident dhe integriteti i saj është dëmtuar seriozisht, në përputhje me nenin 27, paragrafi 1 të Ligjit për Prokurorinë Publike, pikërisht prokurori publik është përgjegjës për gjendjet e përgjithshme, për organizimin dhe kryerjen e funksioneve të Prokurorisë Publike.
Duke vepruar në këtë mënyrë, prokurori publik Ljupço Kocevski ka shkelur në mënyrë flagrante detyrimin për ta ruajtur dinjitetin e funksionit që ushtron, siç parashikohet në nenin 82 paragrafi 1 të Ligjit për Prokurorinë Publike.
Duke pasur parasysh të theksuarat deri më tani, Qeveria i propozon Kuvendit që ta shkarkojë nga funksioni prokurorin publik të Republikës së Maqedonisë, Ljupço Kocevskin.
Ju faleminderit.