Mickoski: Viti 2026 do të jetë vit i transformimit – shteti ka nevojë për përgjegjësi, seriozitet dhe kujdes të përbashkët për të mirën e përgjithshme

Të nderuar bashkëqytetarë, vitin që e përcjellim nuk ishte i lehtë, ishte një vit me sfida serioze!

Një vit në të cilin shteti duhej së pari të qëndrojë në këmbë.

Pas një periudhe të gjatë paqëndrueshmërie, pasigurie dhe institucionesh të lëkundura, ishte e domosdoshme të bëhet stabilizim dhe konsolidim.

Ky ishte një kusht pa të cilin nuk mund të vazhdohej më tej.

Gjatë këtij viti shumë gjëra lëvizën nga pika e vdekur.

Punuam në heshtje, në mënyrë sistematike dhe me përgjegjësi.

U vendosën themelet. U pastruan gjendjet e trashëguara!

U miratuan vendime që jo gjithmonë ishin të lehta, por ishin të drejta!

E forcuam kapacitetin institucional të shtetit dhe rikthyem logjikën e rendit, ligjit dhe përgjegjësisë.

Theks i veçantë iu kushtua shtetit ligjor. Nisëm procese që nënkuptojnë vendosjen e barazisë para ligjit dhe rregulla të qarta të cilat vlejnë për të gjithë.

Reformat që i nisëm nuk janë kozmetike.

Ato janë të thella dhe thelbësore.

Reforma të tilla kërkojnë kohë, por janë parakusht për një shtet funksional dhe një shoqëri të shëndoshë. Jemi të vetëdijshëm se për qytetarët më e rëndësishmja është se si kjo ndihet në jetën e përditshme.

Prandaj këtë vit e shohim si vit përgatitjeje dhe vendosjeje të bazave, ndërsa vitin në të cilin po hyjmë si vit të realizimit të dukshëm.

Projektet që u planifikuan, programet që u përgatitën dhe politikat që u dizajnuan, në vitin 2026 do të na japin rezultate të reja konkrete dhe të matshme.

Me të drejtë mund të them se viti 2026 do të jetë vit i gjallërimit dhe vit i transformimit! Vit i rritjes, me realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.

Vit i forcimit ekonomik, me investime të reja, mbështetje për ekonominë dhe hapje mundësish për punë dhe zhvillim.

Vit i stabilitetit politik, në të cilin institucionet do të funksionojnë më qartë, më me efikasitet dhe më me përgjegjësi.

Vit i transformimit të përgjithshëm të Maqedonisë! Vizioni ynë është i qartë dhe i padiskutueshëm!

Një shtet në të cilin ligji është themel, institucionet janë në shërbim të qytetarëve, dhe ekonomia ecën përpara, ndërsa shpresa rikthehet te njerëzit.

Nuk premtojmë mrekulli, por punë të palodhur! Jo fjalë, por rezultate konkrete!

Nuk jemi të kënaqur që skena politike jo gjithmonë pasqyron pjekurinë që e meriton shteti.

Por besoj se me kalimin e kohës edhe vetëdija do të arrijë pjekurinë se interesat kombëtare dhe e ardhmja e qytetarëve duhet të jenë mbi gjithçka.

Shteti ka nevojë për përgjegjësi, seriozitet dhe kujdes të përbashkët për të mirën e përgjithshme.

Para nesh është një vit i ri.

Vit shprese, por edhe i një obligimi të madh!

Obligim për të arritur rezultate!

Obligim për të justifikuar besimin e qytetarëve!

Obligim për të vazhduar rrugën e reformave, zhvillimit dhe stabilitetit!

Të gjithëve ju uroj shëndet, paqe dhe forcë!

Të hyjmë në vitin 2026 me besimin se puna e palodhur do të shpërblehet dhe se Maqedoninë e udhëheqim në rrugën e duhur. Gëzuar Vitin e Ri!