Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje gazetareske nëse ka paralajmërime për investime të reja në vend, informoi se tashmë ka konfirmim për dy investime të reja të huaja, me vlerë totale prej rreth 80 milionë eurosh.
“Po, në përgjithësi ne jemi në negociata me shumë kompani që vijnë nga jashtë vendit dhe që synojnë të investojnë në Maqedoni. Mund të konfirmoj se tashmë kemi konfirmim për dy të tilla: një turke dhe një gjermane, të cilat së bashku do të investojnë rreth 80 milionë euro. Eksporti që këto dy kompani do ta realizojnë nga Maqedonia do të jetë mbi 200 milionë euro dhe në total pritet të punësojnë rreth 1.000 persona. Të dyja nuk janë nga industria automobilistike, por nga industria e teknologjisë së lartë, gjë që na bën veçanërisht krenarë,” deklaroi Mickoski.
Kryeministri Mickoski pret që numri i investimeve të huaja në vend të rritet ndjeshëm deri në fund të vitit.
“Deri në fund të vitit presim edhe të paktën tre konfirmime të tjera, me ç’rast do ta përmbyllim këtë cikël, ndërsa vitin e ardhshëm do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Mbështetja e kompanive vendore mbetet prioriteti ynë, por natyrisht edhe kompanitë që vijnë nga jashtë dhe shprehin interes për të investuar këtu janë të mirëseardhura. Fokusi ynë është të bëjmë një diversifikim të portofolit, që të mos jetë vetëm industria automobilistike, por edhe investime të këtij lloji në teknologji të lartë,” tha kryeministri Mickoski./TS/