META ka filluar të mbyllë profilët e fëmijëve në rrjetet sociale

Rregullatori australian për internet njoftoi se ndalimi i përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç do të hyjë në fuqi më 10 dhjetor.

Meta ka filluar të mbyllë qindra mijëra profile në Instagram, Facebook dhe Threads para datës zyrtare të hyrjes në fuqi të ligjit, raporton Reuters.

Komisionerja për siguri digjitale, Julie Inman Grant, deklaroi se fillimisht kishte qenë e shqetësuar për qasjen “të ashpër” ndaj bllokimit të përdoruesve të rinj, por e ka mbështetur masën pasi ndryshimet graduale rregullatore nuk kanë dhënë rezultat të mjaftueshëm.

“Ardhëm në një pikë kthese. Të dhënat tona janë valuta që i ushqen këto kompani, dhe dizajni i platformave përmban elemente të fuqishme, të dëmshme dhe mashtruese, me të cilat edhe të rriturit luftojnë. Çfarë shansi kanë fëmijët tanë?”, tha ajo.

Ligji parashikon gjoba deri në 33 milionë dollarë amerikanë për mosrespektim. Platforma si Meta, TikTok, Snapchat dhe YouTube kanë njoftuar se do t’i përmbahen rregullave.

Sipas eSafety, rreth 96% e adoleshentëve australianë nën 16 vjeç aktualisht kanë profile në rrjetet sociale. Shumë platforma u lejojnë të miturve të shkarkojnë të dhënat e tyre, të fshijnë llogarinë ose ta “ngrinë” atë deri sa të mbushin 16 vjeç.

Inman Grant shtoi se lobimi i kompanive ka përfshirë përpjekje për të ndikuar te qeveria amerikane, e cila e kishte ftuar të dëshmonte para një komisioni të Kongresit për çështje të lirisë së fjalës.

Ndërkohë, prindërit në Australi e kanë mirëpritur ndalimin, duke thënë se kjo do t’u japë fëmijëve më shumë kohë për pushim dhe për të kaluar me familjen.