Maduro: Venezuela gati të mbrohet teksa SHBA diskuton mundësinë e një sulmi tokësor





Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të mbrohet, teksa administrata e Donald Trump-it po diskuton mundësinë e një sulmi tokësor ndaj territorit venezuelian. Deklaratat erdhën gjatë një tubimi në Karakas, në një periudhë tensionesh të rritura mes dy vendeve.

Sipas zyrtarëve amerikanë, forcat e SHBA-së kanë kryer 21 goditje ndaj mjeteve lundruese që dyshohen për trafik droge në muajt e fundit. Shtëpia e Bardhë e akuzon Maduro-n për lidhje me trafikun e narkotikëve, një akuzë të cilën ai e mohon kategorikisht.

Maduro akuzoi SHBA-në se po ushtron “terrorizëm psikologjik” ndaj vendit të tij për 22 javë me radhë dhe tha se qëllimi i vërtetë i Uashingtonit është të rrëzojë qeverinë dhe të kontrollojë burimet e pasura të naftës të Venezuelës. Autoritetet venezueliane e kanë cilësuar fushatën amerikane, e cila ka shkaktuar mbi 80 viktima nga goditjet ndaj varkave, si vrasje të qëllimshme.

Ndërkohë, vendimet e SHBA-së kanë nxitur shqetësime ndërkombëtare për ligjshmërinë e operacioneve ushtarake, ndërsa Pentagoni i ka justifikuar ato duke i klasifikuar grupet e trafikut si organizata të huaja terroriste.