Lituania shpall gjendje të jashtëzakonshme, kërkon mbështetje ushtarake





Lituania ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme të martën dhe i ka kërkuar parlamentit të autorizojë mbështetjen ushtarake për policinë dhe rojet kufitare, pasi një valë balonash kontrabandistësh nga Bjellorusia ndërpreu vazhdimisht trafikun ajror në muajt e fundit.

Aeroporti i Vilniusit është mbyllur disa herë për shkak të balonave meteorologjikë, të cilat Lituania thotë se dërgohen nga kontrabandistë që transportojnë cigare dhe përbëjnë një “sulm hibrid” nga Bjellorusia, një aleat i ngushtë i Rusisë.

“Gjendja e jashtëzakonshme shpallet jo vetëm për shkak të ndërprerjeve të aviacionit civil, por edhe për shkak të interesave të sigurisë kombëtare”, ka thënë ministri i Brendshëm, Vladislav Kondratoviq, në një takim qeveritar të transmetuar drejtpërdrejt të martën.

Bjellorusia ka mohuar përgjegjësinë për balonat dhe ka akuzuar Lituaninë për provokime, duke përfshirë dërgimin e një droni për të hedhur “material ekstremist”, gjë që Lituania e mohon.

Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, ka thënë të martën se Lituania po i ekzagjeronte incidentet me balonat kontrabandistë dhe se Minsku zyrtar nuk donte një luftë me fqinjët e saj.

“Ajo që po thonë lituanezët sot është e pamundur dhe jorealiste”, ka thënë Lukashenko në një fjalim të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Belta.

“Çështja po ekzagjerohet dhe po politizohet”, ka thënë ai.