Lidhja Shqiptare në Botë thirrje për mobilizim: Prekja e UÇK-së është prekja e dinjitetit kombëtar

Lidhja Shqiptare në Botë ka shprehur mbështetjen e saj të fuqishme dhe publike për protestën paqësore që do të organizohet në Shkup nga Organizata e Veteranëve të Luftës, me përkrahjen e z. Ali Ahmeti.

Në një deklaratë zyrtare, kjo organizatë thekson se protesta është një reagim i domosdoshëm kundër asaj që e cilëson si padrejtësi të vazhdueshme historike dhe politike ndaj shqiptarëve, si dhe ndaj vlerave të luftës çlirimtare.

Ushtria Çlirimtare Kombëtare, njësoj si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përfaqëson një nga kapitujt më të rëndësishëm të rezistencës shqiptare për liri, dinjitet dhe barazi. Lidhja Shqiptare në Botë thekson se çdo përpjekje për kriminalizimin e kësaj lufte përbën fyerje ndaj së vërtetës historike dhe ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

Lidhja shqiptare në botë dënon gjithashtu mbajtjen e zgjatur të krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar procesin ndaj tyre si selektiv, politikisht të motivuar dhe të njëanshëm. Sipas saj, ky proces nuk i shërben drejtësisë dhe pajtimit, por thellon padrejtësitë dhe tensionet.

“UÇK-ja ishte ushtri çlirimtare, jo organizatë kriminale, ndërsa krerët e saj janë luftëtarë të lirisë që po mbahen padrejtësisht larg familjeve dhe popullit të tyre”, thuhet në deklaratë.

Lidhja Shqiptare në Botë e cilëson protestën në Shkup si një akt dinjitoz dhe demokratik për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare, të dinjitetit të veteranëve dhe të së vërtetës historike, duke u bërë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të garantojnë një proces të drejtë, të paanshëm dhe transparent për krerët e UÇK-së.

Në fund, organizata deklaron se do të qëndrojë në krah të veteranëve, protestuesve dhe çdo shqiptari që, sipas saj, nuk pranon të nëpërkëmbet historia dhe sakrifica e popullit shqiptar.

Ja deklarata e plotë:

DEKLARATË ZYRTARE
E LIDHJES SHQIPTARE NË BOTË

Lidhja Shqiptare në Botë shpreh mbështetjen e saj të fuqishme, të palëkundur dhe publike për protestën paqësore që do të organizohet në Shkup nga Organizata e Veteranëve të Luftës, me përkrahjen e z. Ali Ahmeti, si një reagim i domosdoshëm kundër padrejtësive të vazhdueshme historike dhe politike ndaj shqiptarëve dhe vlerave të luftës çlirimtare.

Ushtria Çlirimtare Kombëtare, ashtu si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përfaqëson një nga faqet më të ndritura të rezistencës shqiptare për liri, dinjitet dhe barazi. Vlerat e UÇK-së janë vlera të sakrificës, të mbrojtjes së popullit dhe të luftës së drejtë kundër shtypjes dhe diskriminimit. Çdo tentativë për kriminalizimin e kësaj lufte dhe të atyre që e udhëhoqën atë përbën një fyerje të rëndë ndaj së vërtetës historike dhe ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

Lidhja Shqiptare në Botë dënon ashpër mbajtjen e padrejtë dhe të zgjatur të krerëve të UÇK-së në Hagë, të cilët po përballen me një proces selektiv, politikisht të motivuar dhe të njëanshëm, që synon të rishkruajë historinë dhe të barazojë viktimën me agresorin. Ky proces nuk i shërben drejtësisë, paqes dhe pajtimit, por vetëm thellon padrejtësinë dhe tensionet.

Ne deklarojmë qartë :
UÇK-ja ishte ushtri çlirimtare, jo organizatë kriminale.
Krerët e saj janë luftëtarë të lirisë dhe po mbahen padrejtësisht larg familjeve dhe popullit të tyre.

Protesta në Shkup është një akt dinjitoz, politik dhe kombëtar i rezistencës demokratike, për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare, të dinjitetit të veteranëve dhe të së vërtetës historike. Heshtja përballë këtyre padrejtësive është bashkëfajësi.

U bëjmë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të ndalin qasjen selektive ndaj drejtësisë, të respektojnë sakrificën e shqiptarëve për liri dhe të garantojnë një proces të drejtë, të paanshëm dhe transparent për krerët e UÇK-së.

Lidhja Shqiptare në Botë qëndron fuqishëm në krah të veteranëve, në krah të protestuesve dhe në krah të çdo shqiptari që nuk pranon të nëpërkëmbet historia, gjaku dhe sakrifica e popullit tonë.

Liria nuk gjykohet. Lufta çlirimtare nuk njolloset. UÇK-ja nuk mohohet.

Në unitet dhe vendosmëri kombëtare,
LIDHJA SHQIPTARE NË BOTË