Qeveria e Mickoskit po përgatit tradhti antishtetërore dhe kombëtare, ndërsa mediat e njohura britanike si The Times raportojnë se Qeveria e Mickoskit është në bisedime me Mbretërinë e Bashkuar që Maqedonia të bëhet destinacion bazë për kthimin e migrantëve, deklaroi në një konferencë për shtyp Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
“Të gjitha gënjeshtrat pas të cilave kuzhinat e VMRO-DPMNE-së dhe qeveria përpiqeshin të fshiheshin, tashmë janë demaskuar. Populli është i shqetësuar. Me të drejtë. Një pushtet kriminal, i kapur nga korrupsioni, që i gënjen qytetarët çdo ditë, po negocion pas shpinës së popullit për marrëveshje të dëmshme,” tha Kuzeska.
Sipas saj, “kjo është çështje serioze kombëtare dhe shtetërore, e lidhur para së gjithash me sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e shtetit.”
“A është kjo ajo ‘lajm i madh ekonomik’ që Mickoski e paralajmëroi me marrëveshjen e supozuar me Mbretërinë e Bashkuar? A është bërë ndonjë vlerësim i sigurisë për sjelljen e migrantëve nga Britania? A janë parashikuar rreziqet? Dhe më e rëndësishmja – pse Britania i ka refuzuar ata, ndërsa ne do t’i pranonim?”
“Statistikat evropiane janë brutale! A është Maqedonia dhe qytetarët e saj të përgatitur nga aspekti demografik të thonë ‘mirë se vini’ migrantëve? A nuk ndiqet trendi në shumë vende evropiane, ku për fat të keq, për shkak të politikave të gabuara, në vend të integrimit të migrantëve, ndodhin rritje të kriminalitetit, trazira dhe dhunë?”, theksoi zëdhënësja e LSDM-së.
Kuzeska shtoi se edhe shtetet evropiane të zhvilluara dhe financiarisht të fuqishme, si Suedia, Britania dhe Gjermania, kanë probleme të mëdha për t’u përballur me këtë sfidë, ndërsa qytetarët e tyre protestojnë çdo ditë për këto çështje.
“Britania ka një problem të madh me migrantët që zgjat prej shumë vitesh. Nëse këto vende të zhvilluara nuk mund ta zgjidhin problemin, nuk do të mundet as Maqedonia. Shoqëria jonë nuk mund ta përballojë këtë. Nuk ka çmim që duhet paguar! Problemin e njerëzve që ikin nga luftërat dhe varfëria, për fat të keq, Maqedonia nuk mund ta zgjidhë.”
“Televizionet kombëtare britanike tashmë e përmendin Maqedoninë si një shtet që mund të pranojë përgjithmonë një pjesë të migrantëve. Mickoski dhe VMRO-DPMNE me politikat e tyre po i largojnë të rinjtë nga shteti, ndërsa tani planifikojnë të sjellin migrantë nga vendet e treta. Kush i ka dhënë Mickoskit autorizim të negociojë për migrantët?”, pyeti ajo.