“Kush për çfarë flet – Zaev dhe Filipçe për ndershmëri”

Nikolla Gruevski

Në javët e fundit, LSDM-ja, konkretisht Zoran Zaev dhe Venko Filipçe, pothuajse çdo ditë e keqpërdorin postimin tim të fundit në Facebook nga 12 nëntori 2025. Ai ishte një analizë e rreziqeve për konflikte të mundshme në Evropë dhe botë, e cila përfundonte me mesazhin se Maqedonia duhet të vazhdojë fuqishëm reformat për anëtarësim në BE, por njëkohësisht të jetë e përgatitur për skenarë të mundshëm lufte nëse këto rreziqe realizohen.

Ata e paraqesin këtë postim krejt jashtë kontekstit, duke e lidhur me ndonjë deklaratë të mëvonshme të disa funksionarëve të pushtetit, dhe kështu sajojnë teza qesharake se pushteti më paska ndjekur apo përgjuar – gjepura për të cilat nuk ia vlen të humbet kohë.

Në të njëjtën kohë, frustrimet e vjetra që i bart Zaev – dhe me sa duket edhe Filipçe – i shtyjnë të përsërisin disa nga gënjeshtrat e tyre të vjetra propagandistike për “miliardat e sajuara”, që një herë qenkan një, pastaj dy, tre, pesë, shtatë apo dhjetë. Në njoftimin e fundit i përmendin si dy miliardë, por edhe këto janë marrëzi që s’merr kuptim t’u kushtohet kohë.

Është e qartë se këta dy persona, që e mbajnë LSDM-në si një lloj mburoje për t’u mbrojtur nga përgjegjësia ligjore për krimet dhe keqpërdorimet e bëra ndër vite, e kanë çuar partinë në rezultatin më të dobët elektoral në historinë e saj. Ata kanë shumë para, prandaj flasin lirshëm për miliarda, ndërsa nuk kanë asnjë ide se çfarë t’i ofrojnë opinionit pas “masakrës” shtatëvjeçare të qeverisjes kriminale.

Ato ishin vite nga të cilat Zaev doli si investitor në patundshmëri dhe tregtar me një kompani me pronësi të fshehur të hekurit dhe çelikut rus në Dubai, mall që për shkak të sanksioneve është bërë edhe më i lirë dhe më i lehtë për t’u shitur. Kështu, Zaev – megjithëse në politikë e luan rolin e antirusit pro-perëndimor – në biznes me kënaqësi blen hekur nga Rusia dhe ua shet, ndër të tjerët, edhe kompanisë së dytë më të madhe për zhvillim të patundshmërive luksoze në Emiratet e Bashkuara Arabe, Damac Properties.

Kjo kompani ka partneritete me marka botërore si Versace Home, Roberto Cavalli dhe de GRISOGONO, dhe ndërton projekte si Cavalli Tower e të tjera. Ajo ndërton rreth 800.000–1.200.000 m² në vit dhe shpenzon 50.000–75.000 ton çelik në vit në Dubai dhe 15 qytete të tjera të mëdha si Rijad, Toronto, Londër, Miami etj.

Më erdhi për të qeshur kur u kujtova me ç’shqetësi të rreme Filipçe i shpjegonte publikut të painformuar se kishte planifikuar të shkonte “me punë të përkohshme” në një spital të paemërtuar në Dubai, duke pretenduar se vizën e artë e kishte marrë për t’u punësuar si mjek atje. Në realitet, një vizë e tillë kërkon licencë të vlefshme nga autoritetet shëndetësore të Emirateve, miratime zyrtare dhe kontratë pune të nënshkruar – gjëra që ai nuk i kishte, përndryshe do t’i tregonte.

Pastaj u kujtova se këta të dy kanë kompani të përbashkëta dhe investime në Dubai, sigurisht jo nga kursimet e rrogës së mjekut, dhe pikërisht mbi këtë bazë u janë dhënë vizat e arta.

Humori u zhduk kur mendova për periudhën e parë të krizës së COVID-it, kur shumë të infektuar po vdisnin dhe Maqedonia ishte vendi me përqindjen më të lartë të vdekjeve në botë. Në atë kohë, trupat nxirreshin nga spitalet në qese, ndërsa këta dy, njëri kryeministër dhe tjetri ministër i shëndetësisë, ishin të fundit në Evropë që siguruan vaksina – për shkak të paaftësisë dhe fokusit te pasurimi personal.

Të gjithë kujtojnë se për muaj të tërë ata bënë presion që importi i vaksinave nga Kina të bëhej përmes kompanisë së tyre të përbashkët.

Dhe tani, njëri prej tyre, shtrirë në ndonjë jaht në Dubai me para të përvetësuara nga populli dhe të fituara nga shitja e interesit kombëtar përmes ndryshimit të emrit, historisë dhe identitetit maqedonas, na shet moral dhe etikë. Serbët kanë një fjalë të urtë që thotë: “Kush për çfarë – k… për ndershmëri.”

Le të mendojnë sa jetë do të ishin shpëtuar nëse, në vend se të përpiqeshin të përfitonin nga importi i vaksinave, do e lejonin procesin të zhvillohej normalisht. Sa njerëz sot do të ishin gjallë me familjet e tyre. Pastaj le të pyesin veten nëse pas gjithë këtij lakmie dhe pa mëshirë, populli mund t’i votojë ndonjëherë përsëri.