Kurti flet sërish për sulmin në Ibër–Lepenc: Përpjekje e Serbisë për të destabilizuar Kosovën





Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur sërish për sulmin terrorist në kanalin Ibër–Lepenc më 29 nëntor 2024, për të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuza ndaj tre shtetasve serbë, dy prej të cilëve pjesëtarë të strukturave ilegale, të lidhur me institucionet e sigurisë së Serbisë.

Kurti ka thënë se i gjithë sulmi kishte për qëllim që Serbia ta paraqesë Kosovën, si përgjegjëse.

“Sulmi në Ibër -Lepenc nuk ishte një akt i izoluar, por një përpjekje e qëllimshme e Serbisë për sabotimin e Republikës së Kosovës në përmasa të gjera. Një element kyç është edhe fakti se ekspertiza ndërkombëtare forenzike konstaton që eksplozivi me të cilin është kryer sulmi terrorist i asaj nate është me origjinë ushtarake. Si aktakuza ashtu edhe të gjeturat e ekspertizës ndërkombëtare forenzike janë në linjë të plotë me vlerësimet fillestare të institucioneve tona të sigurisë të cilat i pata prezantuar një vit më parë në konferencë të jashtëzakonshme për media në Kryeministri”, ka shkruar Kurti.