Komisioni Evropian ka vendosur ta gjobisë platformën X, në pronësi të miliarderit amerikan Elon Musk, me 120 milionë euro, për shkak të shkeljeve të Aktit të Shërbimeve Dixhitale.
Paralelisht, Komisioni ka pranuar ofertën e TikTok për të përmbushur kërkesat e transparencës së reklamave.
Sipas Komisionit, platforma X ka shkelur tre dispozita të Aktit të Shërbimeve Dixhitale.
Shkelja e parë lidhet me shenjën blu, të cilën Komisioni e ka konsideruar mashtruese për përdoruesit, pasi krijon përshtypjen se një llogari me atë shenjë është e verifikuar.
Shkelja e dytë ka të bëjë me mosrespektimin e kërkesës për sigurimin e një “depoje reklamash”, ku duhet të jenë të qasshme të gjitha reklamat e shfaqura në platformë – një element kyç për monitorimin e reklamave politike mashtruese gjatë fushatave zgjedhore.
Shkelja e tretë lidhet me pengimin e aksesit të studiuesve në të dhënat e disponueshme publikisht mbi X.
“Mashtrimi i përdoruesve me shenja blu, fshehja e informacionit në reklama dhe përjashtimi i studiuesve nuk kanë vend në internetin e BE-së”, deklaroi zëvendëspresidentja ekzekutive për Sovranitetin Teknologjik, Sigurinë dhe Demokracinë, Henna Virkkunen.